Lajme

Këmbimi i pronave në Prishtinë: Pezullohet ekzekutimi i vendimit, lënda kthehet në rivendosje

Është pezulluar nga Ministria e Financave ekzekutimi i vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronës komunale me pronën private të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Në vendim po ashtu bëhet e ditur se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka tërhequr ligjshmërinë e lëshuar dhe lënda është kthyer për rivendosje në Kuvendin Komunal.

Në një vendim që ka marrë Ministria e Financave të enjten “pezullohet ekzekutimi i vendimit 01-020/04-236518/23 të dt. 26.12.2023 të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit përmes këtij vendimi të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit”.

Procedura e vlerësimit, sipas MF-së, do të nisë kur të mënjanohen pengesat ligjore të evidentuara nga MAPL-ja.

KOHA ka raportuar se me propozim të ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kaluar vendimi për dhënien e pronës rreth 7-hektarëshe në “Prishtina e Re” biznesmenit Rrahman Haradini, në këmbim të rreth 10 hektarëve që i kishte në pronësi në Badoc. Mbi bazën e këtij vendimi, edhe kryetari aktual Rama e ka nënshkruar kontratën me ish-klientin e tij. Mbi po të njëjtën bazë ka propozuar këmbimin edhe të një prone tjetër me vlerë dhjetëra miliona euro, me pronën 8-hekatëshe në Badoc. Vendimi i fundit ka kaluar edhe me ndihmën e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, prezenca e të cilëve në sallën e Kuvendit Komunal u interpretua nga kryesuesi si kuorum për vendimmarrje.

Pas raportimit të KOHËS, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim parapenal. E për këtë këmbim prone, Komuna e Prishtinës do të përballet edhe me padinë e ushtruar të enjten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Në padinë për inicimin e konfliktit administrativ thuhet se në vendimin që e ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk janë aplikuar fare dispozitat ligjore, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike.

Lexo më shumë  Kundërshtojnë largimin e tregut, tregtarët e Belshit dalin në protestë, futen në ambientet e bashkisë

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka insistuar se nuk ka shkelje ligjore në procesin e këmbimit të pronave komunale me ato të ish-klientëve të tij. Në një konferencë për media, zbulimin e skandalit nga KOHA ai e quajti sulm ndaj tij dhe punës së Komunës.

Prona komunale që është këmbyer me atë në Badoc të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga një proces i nisur më 2021 nga ish-kryetari Shpend Ahmeti dhe një proces i ri i vitit 2024, kap vlerën e dhjetëra miliona eurove. Bazuar në çmimet në treg, një pronë rreth 7-hektarëshe në zonën Prishtina e Re më së liri kushton 23 milionë euro, ndërsa më së shtrenjti rreth 33 milionë euro. E për sipërfaqen që është këmbyer në Badoc, çmimet sillen prej 2 milionë e 400 mijë deri në 5 milionë e 300 mijë euro.


VV-ja në Prishtinë: S’mbështesim asnjë propozim të paligjshëm

E pyetur nga KOHA për çështjen e kuorumit edhe nëse vendimi do të rivotohet në Kuvendin Komunal, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka thënë se “nuk ia bën kuorumin as Ramës e as dikujt tjetër”.

Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë se do të tentojnë të pamundësojnë vendime të dëmshme në të gjitha mënyrat.

Lexo më shumë  Bulliqi dhe Aliu nënshkrujanë memorandum bashkëpunimi në vlerë mbi 1 milion euro

“Ne në Kuvendin Komunal nuk ia bëjmë kuorumin as Ramës e as dikujt tjetër. Ne jemi grupi më i madh i asamblistëve dhe do të vazhdojmë t’i shpërfaqim e t’i denoncojmë të gjitha shkeljet dhe keqpërdorimet eventuale me të cilat mund të ballafaqohemi në Kuvendin Komunal. Njëjtë siç kemi bërë tash e dy vjet. Nuk votojmë e nuk mbështesim asnjë propozim që është i paligjshëm e që i bën dëm publikes. Në të gjitha mënyrat, varësisht nga situata që na paraqiten, do të pengojmë dhe do të tentojmë të pamundësojmë vendime të dëmshme”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka përsëritur qëndrimin se VV-ja s’ka mundësuar kuorum as në herën e parë, duke e quajtur të jashtëligjshëm vendimin e funddhjetorit. Sipas tij, kanë votuar 21 asamblistë nga 51. Megjithatë prania e asamblistëve të VV-së qe interpretuar nga kryesuesi si kuorum për vendimmarrje. E MAPL-ja pati lëshuar ligjshmërinë për këtë vendim. Një ditë më parë, Sveçla në emisionin “Konfront” në KTV ka thënë se janë ankuar edhe në MAPL për këtë çështje.

“Kuorumin s’ia kemi bërë as në rastin e parë, sepse nuk kemi marrë pjesë në votim. As s’kemi votuar për, as kundër e as s’kemi abstenuar. Herën e parë kanë votuar vetëm 21 asamblistë, nga 51 që i ka Kuvendi Komunal. Rrjedhimisht ai votim ka qenë i jashtëligjshëm. Po e përsëris, në asnjë mënyrë nuk mbështesim vendime të dëmshme për qytetin e për qytetarët”, ka deklaruar ai.

Rruga Press

YouTube player