Lajme

KEDS-i kërkon rritje të çmimit të energjisë për 7 për qind nga 1 dhjetori

Rritje të çmimit të energjisë prej 7 për qind që nga 1 dhjetori i këtij viti ka kërkuar KEDS-i nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Nëpërmjet kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, KEDS-i po kërkon që rritja prej 7 për qind të jetë deri në fund të marsit, kur bëhet shqyrtimi i rregullt tarifor.

“Kjo do të vlejë deri në shqyrtimin e rregullt tarifor, i cili bëhet në fillim të vitit të ardhshëm me tarifa që hyn në fuqi nga data 1 prill pasi vit energjetik që e themi ne fillon me 1 prill dhe përfundon me 31 mars të vitit vijues, aty ne do të aplikojmë për të hyrat tona të lejuara dhe për tarifat që i mbulojnë kostot pasi dihet që kemi të bëjmë me çmime astronomike të importit të cilat shkojnë në 300 euro megavat apo 5-6 fish më të larta se vitin e kaluar dhe këto çmime duhet të mbulohen”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Kërkesa e KEDS-it është duke u shqyrtuar nga ZRRE-ja dhe ende nuk ka një vendim lidhur me atë se a do të ketë rritje të çmimit këtë muaj.

“Nuk mund të flasim për ndryshim të çmimeve pa u zhvilluar proces i shqyrtimit tarifor, qoftë ai edhe i jashtëzakonshëm. Procesi i shqyrtimit tarifor nënkupton aplikimin e operatorëve për shqyrtim të të hyrave të lejuara maksimale, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe hapje të diskutimit publik pas vlerësimeve të ZRRE-së në lidhje me kërkesat për ndryshim të këtyre të hyrave. ZRRE-ja aktualisht është duke shqyrtuar kërkesën e KEDS-it, si dhe përmbushjen e kushteve për hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm. Në rast se ZRRE-ja vlerëson se janë përmbushur këto kushte do të njoftojë operatorët dhe publikun me kohë”, thuhet nga ZRRE.

Lexo më shumë  Hapi i fundit i Kosovës për anëtarësim në KiE, Serwer : Indinjata e Serbisë është e turpshme

Rritja e mundshme e çmimit të energjisë ka alarmuar qytetarët, të cilët thonë se do të kenë vështirësi për t’i përballuar rritjet e vazhdueshme të çmimeve.

“Të gjitha çmimet janë rrit është diçka që popullata e ka vështirë ta përballojë, edhe rryma me rrit problem ka me qenë tek populli ynë. Kemi vështirësi dikush është vetë me një pension, dikush është vetëm me një social, dikush është pa rrogë, nuk e kanë lehtë, vështirë është me u përballu gjithë ky shtrenjtim”, thotë qytetari Musli Krasniqi.

“Ndikon negativisht, qysh po mendon me të ardhura me pensione të vogla, kjo shumë katastrofë. Kështu dhe mezi me ia dal e le ma me i rrit, kjo është tepër diçka. Valla nuk i dilet, duket me u dorëzua, asgjë më shumë”, thotë qytetari Shefqet Vokrri.

Lexo më shumë  Kryeziu: Shtensionimi ka ndodhur, masat e BE-së duhet të hiqen

“Rritja e rrymës normal që do të ketë efekt anësor për gjithë popullatë, duke marrë parasysh që globalizimi do të thotë që çmimet janë rritur gjithkund në botë, por duke e marrë parasysh që na prodhimin e energjisë e kemi me qymyr nuk po shohim naj arsye me u ba rritja, por këto janë kalkulime ndërkombëtare dhe ne populli po pësojmë, por nuk kemi çka me ba tash”, thotë qytetari Kreshnik Sopi.

ZRRE-ja më 27 tetor të këtij viti kishte vendosur që të mos ndryshohen tarifat e energjisë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Por KEDS-i thotë se çmimet e importit janë pesëfishuar.

“Kjo i takon ZRRE-së ne bëjmë vetëm analizimin e të dhënave shqyrtimin e tyre, trendët, çmimet gjitha këto i analizojmë dhe ZRRE-ja është ajo që vendos për çmime, sigurisht që kalkulimi është që do të ketë një rritje të konsiderueshme, a do të ketë a jo kjo i takon ZRRE-së dhe bëhet fjalë për shuma deri në 30-40 për qind”, tha Buzhala.

Pas rritjes së çmimeve të energjisë që importohet, qytetarëve u është bërë apel që ta kursejnë rrymën.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *