Kearns: Ende s’ka pasoja për Beogradin, Kosova mbetet nën sanksione
Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka deklaruar se derisa është liruar nga mbajtja nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ende Beogradi s’është ndëshkuar nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Ajo ka shkruar në Twitter të mërkurën se krahas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve dhe plagosjes së trupave të NATO-s, Kosova ende mbetet nën sanksionet e BE-së.
“Radoiçiqi mbetet i lirë në Serbi. Ende s’ka pasoja për Beogradin nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, BE-ja, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve dhe as rolit në dëmtimin serioz të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomacia e parandalimit?”, ka shkruar Kearns.
Gjykata e Lartë e Serbisë të mërkurën ka liruar Milan Radoiçiqin një ditë pasi e arrestoi. Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar shkuarja në Kosovë.
Gjykata e Lartë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që Radoiçiqit t’i caktohej masa e paraburgimit.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, Prokuroria kishte kërkuar një muaj paraburgim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe.
Rruga Press