Bota

Kapitulli i ri, Mbretëria e Bashkuar arrin marrëveshjen e Irlandës së Veriut me BE-në

Kryeministri britanik Rishi Sunak, ka arritur një marrëveshje të re me Bashkimin Europian mbi rregullat tregtare pas Brexit, për Irlandën e Veriut, dhe tha se kjo do të hapte rrugën për një kapitull të ri në marrëdhëniet e Londrës me bllokun europian.

Duke qëndruar përkrah Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi në Windsor, Sunak tha se të dy palët kishin rënë dakord të lehtësonin rregullat tregtare për provincën britanike dhe t’u jepnin ligjvënësve të saj më shumë kontroll mbi ligjet që duhet të ndjekin.

“Jam i kënaqur të raportoj se tani kemi bërë një përparim vendimtar”, tha Sunak, duke shtuar se ata kishin rënë dakord të ndryshonin marrëveshjen fillestare për Irlandën e Veriut, të njohur si protokolli, për të krijuar “Kornizën e Re Windsor” (Windsor Framework).

“Ky është fillimi i një kapitulli të ri në marrëdhënien tonë”.

Çështja ka qenë një nga më të diskutueshmet në lidhje me largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian në vitin 2020.

Irlanda e Veriut, një provincë britanike, kishte një kufi të hapur me Irlandën, një anëtare e BE-së. Çdo ndryshim i kufirit mund të rrezikonte marrëveshjen e paqes të vitit 1998, e cila i dha fund tre dekadave të dhunës sektare dhe politike në Irlandën e Veriut.

Për Sunak, marrëveshja shënon një strategji me rrezik të lartë vetëm katër muaj pasi ai mori detyrën.

Ai po kërkon të sigurojë kompromis dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Brukselin dhe Shtetet e Bashkuara, pa zemëruar pjesën e partisë së tij të lidhur me Brexit.

Suksesi i marrëveshjes ka të ngjarë të varet nëse ajo do të bindë Partinë Unioniste Demokratike (Democratic Unionist Party, DUP) që t’i japë fund bojkotit të marrëveshjeve të ndarjes së pushtetit të Irlandës së Veriut.

Lexo më shumë  Ukraina: Rusia ka dërguar numër rekord dronësh për të na sulmuar gjatë natës

Këto ishin thelbësore për marrëveshjen e paqes të vitit 1998.

Sunak ka të ngjarë të flasë për faktin se ai ka siguruar atë që ai e përshkroi si “freni Stormont” (Stormont brake), për të cilën ai tha se do të lejonte Stormont, asamblenë rajonale, të ndalonte zbatimin e çdo ligji të BE-së në Irlandën e Veriut për mallrat.

“Nëse “freni shtypet”, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ketë veton,” tha ai.

Mbetet për t’u parë nëse kushtet e reja do të shkojnë mjaftueshëm larg për t’i dhënë fund bllokimit politik në Irlandën e Veriut dhe për të kënaqur kritikët në Britani dhe provincë.

Von der Leyen tha se Gjykata Europiane e Drejtësisë do të thotë fjalën e fundit për ligjin e Bashkimit Europian dhe çështjet e tregut të vetëm.

REBELIONI I ARDHSHEM?

Udhëheqësi i DUP, Jeffrey Donaldson, duke folur përpara se të dilnin lajmet për një marrëveshje, tha se do të duhej kohë për të parë detajet, përpara se të vendosnin nëse do ta pranonin atë.

Grupi Europian i Kërkimeve, i cili bashkon ligjvënësit konservatorë pro Brexit, ka thënë se do të studiojnë detajet përpara se të japin verdiktin e tyre, një proces që mund të zgjasë ditë të tëra.

Fitorja do të forconte kontrollin e Sunak mbi Partinë e tij Konservatore dhe do t’i mundësonte atij të kalonte përtej çështjes më të diskutueshme në axhendën e tij, ndërsa ai kërkon të konkurrojë Partinë Laburiste të opozitës, tani shumë përpara në sondazhe, para zgjedhjeve kombëtare që priten në 2024.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Nëse ai do të dështonte, ndoshta do të përballej me një rebelim nga krahu euroskeptik i partisë së tij, duke ringjallur ndarjet e thella ideologjike që ndonjëherë kanë paralizuar qeverinë që nga votimi për t’u larguar nga BE në 2016.

Sunak mund ta kishte lënë ngecjen të pazgjidhur, por zyrtarët në Londër dhe Belfast thonë se ai ka qenë i motivuar të veprojë përpara 25-vjetorit të Marrëveshjes së të Premtes së Mirë (Good Friday Agreement), e cila mund të sjellë një vizitë nga presidenti i SHBA Joe Biden.

Biden, i cili shpesh flet me krenari për rrënjët e tij irlandeze, ka shprehur shqetësimin për gjendjen në provincë.

Zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar më parë se çdo veprim që rrezikonte Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, mund të dëmtonte perspektivat e një marrëveshjeje tregtare SHBA-MB.

Sunak shpreson se një rezultat i suksesshëm do të përmirësojë bashkëpunimin me BE-në në zona përtej Irlandës së Veriut, duke përfshirë rregullimin e shërbimeve financiare, kërkimin shkencor dhe ndihmën për të frenuar fluksin e emigrantëve.

Si pjesë e marrëveshjes së saj të daljes nga EU, Britania nënshkroi një marrëveshje me Brukselin, e njohur si protokolli i Irlandës së Veriut, për të shmangur vendosjen e kontrolleve politikisht të diskutueshme përgjatë kufirit tokësor prej 500 km me Irlandën.

Por protokolli krijoi në një kufi për disa mallra që lëviznin nga Britania, sepse e mbante Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët të BE-së për mallra.

Kjo gjithashtu e bëri Irlandën e Veriut subjekt të disa rregullave të BE-së edhe pse nuk ishte anëtare e bllokut.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *