Kapitalizmi shqiptar, manuali që hedh poshtë ligjet e ekonomisë
Shkruan Lutfi Dervishi
I. Paradoksi i ndërtimit
Teoria: Kur oferta rritet dhe kërkesa mbetet e njëjtë, çmimet bien derisa tregu gjen ekuilibrin.
Praktika: Ndërtimi po përjeton një bum të paprecedentë, por çmimet për m2 bëjn xheloze edhe disa kryeqytete të BE. Këtu duket sikur kërkesa nuk vjen vetëm nga familjet që kërkojnë strehë, por edhe nga eurot që kërkojnë strehim.
II. Paradoksi i lekut
Teoria: Monedha e një vendi forcohet kur ekonomia prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe rrit produktivitetin.
Praktika: Eksportet kanë rënë dhe prodhuesit ankohen për mungesë konkurrunce, por leku vijon të forcohet.
III. Paradoksi i euros & çmimeve
Teoria: Kur leku forcohet, importet bëhen më të lira dhe kjo duhet të ulë çmimet.
Praktika: Kur euro u forcua, rritja e çmimeve iu faturua kostove të importit. Sot euro është “përtokë”, por çmimet po rriten.
IV. Paradoksi i pronës
Teoria: Prona private është e garantuar me ligj, e mbrojtur dhe e trashëgueshme.
Praktika: Këtu, rruga më e shkurtër duket se është: zaptim, ndërtim, legalizim!
V. Paradoksi i PPP-ve
Teoria: Partneriteti Publik-Privat ekziston që privati të investojë kapitalin e vet dhe të marrë përsipër një pjesë të rrezikut, duke lehtësuar barrën e shtetit.
Praktika: Në shumë raste, financimi vjen nga buxheti me angazhime shumëvjeçare. Partneri që rrezikon më shumë në PPP është taksapaguesi.
VI. Paradoksi i papunësisë
Teoria: Kur mungojnë punëtorët, tregu i detyron punëdhënësit të rrisin pagat për të tërhequr fuqi punëtore.
Praktika: Statistikat flasin për papunësi në rënie, ndërsa bizneset ankohen se nuk gjejnë punëtorë. Punëtorët ikin, vendet e lira shtohen & tregu sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
VII. Paradoksi i konkurrencës
Teoria: Konkurrenca ul çmimet, përmirëson cilësinë dhe i jep konsumatorit më shumë zgjedhje.
Praktika: Në letër konkurrojnë shumë kompani. Në fund të zinxhirit, gjithçka përfundon të një grusht njerëzish.
VIII. Paradoksi i investimeve të huaja
Teoria: Investimet e huaja duhet të sjellin teknologji, industri të reja, vende pune dhe rritje të produktivitetit.
Praktika: Investimet janë në rritje, por një pjesë e madhe përqendrohet te pasuritë e paluajtshme, ndërsa ekonomia prodhuese vazhdon të kërkojë investitorët.
IX. Paradoksi sektorit publik
Teoria: Kur popullsia zvogëlohet dhe shteti investon miliona në digjitalizim, nevoja për personel publik duhet të bjerë ose, të paktën, të mos rritet.
Praktika: janë larguar nga vendi qindra mijëra banorë, ndërsa shërbimet publike janë zhvendosur masivisht në e-Albania. Megjithatë, sektori publik vazhdon të rritet!
X. Paradoksi i paradokseve
Për çdo paradoks ekonomik, sado i pazakontë të duket, gjendet gjithmonë një ushtri papagajsh (të rinj & të vjetër), që e shesin si histori suksesi.
Ndoshta nuk është ekonomia jonë ajo që sfidon teorinë, është teoria që nuk e ka lexuar ende manualin tonë të zhvillimit të kapitalizmit bazuar mbi forcat dhe mendjen tonë.
Rruga Press

