Kanuni i Lekë Dukagjinit apo Rama-Kanun? Afganët e Sorosit në hotel, të tjerët në Qytet Studenti
Prej dy ditësh Shqipëria ka nisur pritjen e refugjatëve afganë që ia kanë dalë të largohen nga Afganisti duke shpëtuar nga talebanët dhe situata e sulmeve atje. Mes kamerave, pritjes ceremoniale të ambasadores Yuri Kim, ministres Olta Xhaçka dhe kryeministrit Edi Rama, 275 afganë tashmë janë të sigurtë, dhe ky është një lajm shumë i mirë.
Por ajo që ka kaluar pa u kuptuar edhe në këtë rast është diferencimi mes të barabartëve si shprehje e formës së pushtetit ku vendos vetëm një njeri.
Grupi i parë i afganëve prej 121 afganë u strehuan në një resort tek Mali i Robit në Kavajë. Të nisur nga Tbilisi i Gjeorgjisë, grupi prej 121 afganë bashkë me familjet e tyre ishin punonjës në Afganistan të Fondacionin të Sorosit “Shoqëria e Hapur”. Siç e do edhe zakoni, kryeministri shkoi edhe në mbrëmje, ku fëmijëve afganë iu dhuroi lodra.
Në mbrëmje, në Shqipëri mbërriti grupi i dytë i afganëve. Aktivistë dhe qytetarë, u pritën nga treshja Kim-Xhaçka-Rama dhe menjëherë u dërguan në ambientet e konvikteve në Qytet Studenti.
“Shtëpia e shqiptarëve është e mikut dhe Zotit”, citoi Edi Rama Kanunin e Lekë Dukagjinit 3 netë më parë në CNN. Por, kur shohim këto pamje, vëmë në dyshim citimin. A u pritën afganët me Kanunin e Lekë Dukagjinit apo me atë të Edi Ramës? Pse grupi që ka punuar për Fondacionin e Soros u çua në hotel dhe të tjerët në konvikte? Kush e ndau se kush janë më të rëndësishëm, më të rrezikuar, më të pasur apo më të varfër? A ka një strategji të vendosjes së afganëve në Shqipëri në bazë të komunitetit përreth zonës ku ata vendosen? /dosja.al/
Rruga Press