Kandidati i LVV-së, Artan Abrashi viziton bizneset vendore në Prizren: Mbështesim fuqishëm prodhimin lokal dhe punën e ndershme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, Artan Abrashi, po vijon fushatën e tij me vizita në biznese të ndryshme lokale, duke theksuar përkushtimin për zhvillimin ekonomik të qytetit përmes mbështetjes së prodhuesve vendorë, prodhimit industrial, fuqizimit ekonomik të grave dhe promovimit të artizanatit prizrenas.
Në fokus të tij janë ndërmarrjet që përfaqësojnë frymën e zhvillimit të qëndrueshëm e të ndershëm, si dhe potencialin industrial të Prizrenit.
Gjatë një vizite në biznese të menaxhuara nga gra, Abrashi theksoi rëndësinë e artizanatit si pasuri kulturore dhe burim ekonomik.
“Punët e tyre kreative, veçanërisht ato të veshjeve tradicionale të nuseve, janë pasuri kulturore e krijuar me dashuri e mjeshtëri nga duart e arta të nënave tona. Do të mbështesim fuqizimin ekonomik të grave dhe promovimin e artizanatit prizrenas si pjesë e identitetit dhe zhvillimit tonë lokal,” tha ai.
Në vizitën e tij në qumështoren “Ajka”, një ndërmarrje e suksesshme vendore, Abrashi vlerësoi cilësinë dhe standardet e larta të prodhimit.
“Me cilësi, standard dhe dashuri për produktin, ‘Ajka’ po e bën Prizrenin sinonim të prodhimeve vendore të besueshme. Bizneset si kjo janë arsyeja pse do ta mbështesim fuqishëm prodhimin lokal dhe zhvillimin ekonomik në Prizren,” deklaroi ai.
Ai gjithashtu vizitoi kompaninë industriale Proton Cable, e cila përdor teknologji moderne dhe konkurron në tregje ndërkombëtare.
“Krenar që në Prizren kemi biznese që krijojnë vende pune, zhvillim dhe emër të mirë për qytetin tonë. Do të vazhdojmë të mbështesim prodhuesit që me punë dhe standard po e çojnë ekonominë lokale përpara,” theksoi Abrashi.
Në ndalesën e radhës, kandidati i LVV-së vizitoi edhe GERTI FOODS, një tjetër biznes i suksesshëm vendor, të cilin e cilësoi si shembull të zhvillimit të qëndrueshëm.
“GERTI FOODS është shembull i qartë se si puna e ndershme dhe vizioni i qartë krijojnë zhvillim e vende pune në qytetin tonë. Do të jemi gjithmonë pranë bizneseve që e çojnë përpara Prizrenin,” tha Abrashi.
Përmes këtyre vizitave, Abrashi po thekson mesazhin se Prizreni ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik dhe se në qeverisjen e tij, bizneset lokale do të kenë mbështetje të vazhdueshme.
Rruga Press

