Kanceri në SHBA, Biden premton të shpëtojë 300 mijë jetë çdo vit
Presidenti Joe Biden premtoi të përgjysmojë numrin e vdekjeve nga kanceri gjatë 25 viteve të ardhshme, një objektiv i ri në kuadër të nismës “Moonshot” kundër sëmundjes të nisur në vitin 2016 kur ai ishte nënpresident.
Angazhimi i presidentit Biden për të reduktuar me 50 për qind numrin e vdekjeve nga kanceri, është pjesë e përpjekjes së tij më të gjerë për t’i dhënë fund kancerit, sipas zyrtarëve të lartë të administratës që paralajmëruan njoftimin e së mërkurës në kushte anonimiteti.
Çështja është thellësisht personale për presidentin Biden: Ai humbi djalin e tij të madh, Beau, nga kanceri në tru në vitin 2015.
Dhimbjen e përjetuar nga presidenti e ndajnë shumë amerikanë. Shoqata Amerikane e Kancerit vlerëson se do të ketë 1,918,030 raste të reja të kancerit dhe 609,360 vdekje këtë vit. Në thelb, synimi i Presidentit është që të shpëtojë më shumë se 300,000 jetë çdo vit nga sëmundja, diçka që administrata beson se është e mundur sepse shkalla e vdekjeve sipas moshës tashmë ka rënë me afërsisht 25% gjatë dy dekadave të fundit. Shkalla e vdekjeve nga kanceri është aktualisht 146 për 100,000 njerëz, nga gati 200 që ishte në vitin 2000.
Shoqata Amerikane e Kancerit tha në një deklaratë se vlerëson përpjekjen e Presidentit Biden për “vënien e fokusit kombëtar tek kjo çështje kritike” dhe se “shoqata do të qëndrojë krah për krah” me administratën.
Dr. Barron Lerner, një profesor i mjekësisë dhe shëndetit publik në Universitetin e Nju Jorkut, tha se “synime të tilla” mund të nevojiten për të tërhequr vëmendjen e publikut, por arritja e reduktimit të vdekjeve nga kanceri me 50% është “jashtëzakonisht e pamundur”.
“Përpjekje të ngjashme në të kaluarën si “Lufta kundër kancerit” kanë sjellë përfitime, por ato kanë qenë më modeste,” tha Dr. Lerner, autor i librit “Luftërat kundër kancerit të gjirit”. “Kanceri është sëmundje e ndërlikuar dhe kërkon hulumtime shumë të detajuara. Shndërrimi i përparimeve mjekësore në mjedisin klinik nuk është asnjëherë i lehtë të arrihet”, tha Dr. Lerner.
Presidenti Biden mban një fjalim të mërkurën nga Dhoma Lindore e Shtëpisë së Bardhë, në prani të gruas së tij, Jill, dhe nënpresidentes Kamala Harris. Gjithashtu aty do të jenë të pranishëm anëtarë të Kongresit dhe administratës dhe rreth 100 anëtarë të komunitetit të kancerit, përfshirë pacientë, të mbijetuar, familjarë, grupe mbështetëse dhe organizata kërkimore.
Si pjesë e përpjekjeve, Presidenti Biden do të ndërtojë një “kabinet kundër kancerit” që përfshin 18 departamente, agjenci dhe zyra federale, duke përfshirë drejtues nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Çështjeve të Veteranëve, Mbrojtjes, Energjisë dhe Bujqësisë.
Nuk ka plane për të shpallur angazhime të reja financimi për nismën kundër kancerit, megjithëse administrata do të parashtrojë përse beson se mund të frenojë kancerin përmes përpjekjeve të tilla si rritja e ekzaminimeve dhe heqja e pabarazive në trajtim. Pandemia e koronavirusit ka konsumuar burimet e kujdesit shëndetësor dhe ka bërë që njerëzit të humbasin më shumë se 9.5 milionë ekzaminime të kancerit.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu do të organizojë një samit mbi nismën kundër kancerit dhe do të vazhdojë një seri diskutimesh mbi këtë temë. Qëllimi është përmirësimi i cilësisë së trajtimit dhe jetës së njerëzve. Instituti Kombëtar i Kancerit raportoi në tetor se barra ekonomike e trajtimit ishte më shumë se 21 miliardë dollarë në 2019, duke përfshirë 16.22 miliardë dollarë shpenzime nga xhepi i pacientëve.
Presidenti Barack Obama njoftoi programin e kancerit gjatë vitit të fundit të tij të plotë në detyrë dhe siguroi 1.8 miliardë dollarë gjatë shtatë viteve për të financuar kërkimet.
Ish Presidenti Obama caktoi zotin Biden, si “drejtues të misionit”, në një kohë kur nënpresidenti i atëhershëm Biden si prind kishte dëshirë të bënte diçka për të luftuar këtë sëmundje. Presidenti Biden shkruan në librin e tij me kujtime “Më premto, baba” se ai zgjodhi të mos kandidonte për president në vitin 2016 kryesisht për shkak të vdekjes së djalit të tij Beau.
Në atë kohë ai tha se nuk do të kandidonte dhe se i vinte keq që nuk ishte president sepse “do të kisha dashur të isha presidenti që t’i jepja fund kancerit, sepse është e mundur”.
Përpjekja doli disi nga vëmendja publike kur Donald Trumpi u bë president, megjithëse ish-presidenti republikan, propozoi 500 milionë dollarë gjatë 10 viteve për kërkimet e kancerit pediatrik në fjalimin e tij në vitin 2019 mbi gjendjen e vendit.
Marrë nga Zëri i Amerikës
Rruga Press