KryesoreLajme

Kancelari Scholz pritet të vizitojë Kosovën e Serbinë më 10 qershor

Kancelari gjerman Olaf Scholz pritet të vizitojë Kosovën dhe Serbinë më 10 qershor, ka njoftuar të hënën DW-ja, bazuar në burime diplomatike serbe.

Sipas burimit, për vizitat në Prishtinë e Beograd është vendosur, ndërkohë që po punohet për aranzhim të vizitave edhe në Tiranë e Shkup “e ndoshta edhe në Sarajevë”.

“Ne po përpiqemi për atë datë, vizita ende duhet të koordinohet me vendet e tjera të rajonit”, tha burimi, përcjell DW-ja.

Më herët, gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, kishte raportuar në Twitter se Scholz do të vizitojë Beogradin më 10 qershor. Duke iu referuar burimeve të sigurta nga Berlini, ai tha se temat do të jenë “energjia, ekonomia, qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë e të tjera”.

Ndërkohë burimi i DW-së thotë se Scholz po përpiqet të përgatitet mirë për Samitin e Procesit të Berlinit, i cili pritet të zhvillohet në gusht.

Lexo më shumë  Firmat e sanksionuara, dikur në bashkëpronësi të Radoiçiqit, fituan miliona euro

“Ndryshe nga ish-kancelarja Merkel, Scholz po shkon më shumë drejt zgjidhjeve konkrete. Ai kujdeset që ky samit të mos jetë thjesht një udhëtim i kushtueshëm, por të arrihen zgjidhje konkrete”, tha burimi.

Qëllimi i Procesit të Berlinit është të lidhë më ngushtë rajonet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

Macron si frenues i zgjerimit

Përveç përpjekjes për të përfshirë Beogradin në sanksione kundër Rusisë, Scholz, shkruan DW-ja, do të përpiqet gjithashtu të ofrojë diçka për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të bllokojë edhe më tej fillimin e negociatave të BE-së me Shkupin e Tiranën. Për këtë arsye, sipas burimeve, samiti BE-Ballkani Perëndimor nën presidencën franceze do të mbahet në qershor në Bruksel dhe jo në Paris.

Macron dhe Scholz ndryshojnë në idetë e tyre për zgjerimin e BE-së. Presidenti francez ushqeu kohët e fundit vizionin e një Evrope “me dy shpejtësi”, ku vende si Serbia dhe fqinjët e saj do të kishin një vend vetëm në unazën e jashtme, por nuk do të ishin anëtarë të plotë të BE-së.

Lexo më shumë  Bie aludimi qesharak i FSHF-së, deri në Evropianin “Shqipëri – Serbi”, Kosova do t’i ketë të paktën katër stadiume moderne

Dialogu Kosovë – Serbi, lart në listën e prioriteteve

Vizita e Scholz në Ballkan është një provë e re se rajoni është lartë në listën e prioriteteve të koalicionit të ri në Berlin. Në fillim të majit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizituan Berlinin.

Më pas u vlerësua se Qeveria Scholz po i kushton rëndësi të madhe problemit Kosovë – Serbi në dritën e luftës në Ukrainë. Scholz tha për herë të parë se “njohja reciproke” duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Beogradit dhe Prishtinës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *