Bota

Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëron ShBA-në: Mos ndërhyni në zgjedhjet e Gjermanisë

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar administratën e presidentit amerikan Donald Trump që të mos ndërhyjë në proceset zgjedhore në Gjermani, pas njoftimit të një programi amerikan financimi për organizata dhe individë në Evropë.

Merz reagoi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi një skemë të re grantesh me vlerë deri në 3 milionë dollarë për organizata joqeveritare, institute kërkimore dhe individë në Evropë.

Sipas njoftimit të ShBA-së, fondet do të mbështesin iniciativa që lidhen me çështje si sovraniteti kombëtar, migracioni, censura dhe mbrojtja e shtetit ligjor, në përputhje me “vlerat e përbashkëta politike dhe trashëgiminë perëndimore”.

Programi ka shkaktuar shqetësime në disa vende evropiane, ku është ngritur dyshimi se financimet mund të përdoren për të ndikuar në politikën e brendshme dhe zgjedhjet.

Lexo më shumë  Britania dënon deklaratat e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë

Gjatë një konference për shtyp në Berlin, Merz tha se Gjermania nuk ndërhyn në zgjedhjet amerikane dhe pret të njëjtën sjellje nga Uashingtoni.

“Ne nga ana jonë nuk ndërhyjmë në zgjedhjet amerikane. Në të kundërt, nuk dua që qeveria amerikane apo institucione pranë saj të ndërhyjnë në zgjedhjet gjermane”, deklaroi kancelari gjerman.

Merz theksoi gjithashtu se financimi i partive politike gjermane nga burime të huaja është i ndaluar me ligj.
Debati është përshkallëzuar pasi disa ish-zyrtarë amerikanë kanë pretenduar se skema e re e financimit mund t’u japë avantazh forcave politike të djathta në Evropë. Kritikët thonë se nisma mund të ndikojë në ekuilibrat politikë përpara zgjedhjeve lokale dhe kombëtare në disa vende evropiane.

Lexo më shumë  ShBA-ja dhe Irani intensifikojnë sulmet, transporti detar shmang Hormuzin

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit ka mohuar se fondet do të përdoren për partitë politike, duke deklaruar se programi synon vetëm mbështetjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor në Evropë.

“Programet tona në Evropë kanë për qëllim vetëm mbështetjen e të drejtave të njeriut dhe këto fonde nuk janë të disponueshme për partitë politike”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Rruga Press

YouTube player