Kamberi për rrahjen e Sanduloviqit: Serbia po kalon edhe kufijtë e autokracisë, po shndërrohet në shtet policor
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dënuar dhunën e përdorur ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq.
Kamberi ka theksuar se Serbia po shndërrohet në shtet policor dhe se policia po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politikë të regjimit.
“Ky është edhe një rast që dëshmon se të pranosh realitetin e ekzistimi të Kosovës shtet, të pranosh fajin për vrasjet dhe krimet kundër njerëzimit që Serbia i ka kryer në Kosovë, të sulmosh vlerat anti-evropiane që po i propagandon Beogradi zyrtar, do të sulmohesh në mënyrën më brutale nga vetë institucionet e shtetit”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij Serbia që moti nuk është demokraci. “Ajo, tani, po kalon edhe kufijtë e autokracisë, ajo po shndërrohet në shtet policor, sepse policia po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politik të regjimit dhe të idesë së ‘Botës serbe’. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të vetmen mënyrë komunikimi me kundërshtarët politik e ka agresivitetin”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka vlerësuar se arsyeja e rrahjes brutale të Sanduloviqit nga BIA serbe është se ai ka kërkuar falje në emër të serbëve për vrasjen e familjes Jashari.
“Policia politike serbe (BIA) rrah brutalisht Nikola Sanduloviq, kryetarin e Partisë Republikane në Serbi. Arsye e rrahjes brutale të Nikola Sanduloviq nga BIA, është fakti që ai ka kërkuar falje në emër të serbëve për vrasjen e familjes Jashari, gjatë vizitës së tij në Prekaz. Siç e përmend avokati i tij Çedomir Stojkoviq, një oponent politik i presidentit të Serbisë, “Sanduloviqit i është rrezikuar edhe jeta”, ka shkruar Kamberi.
Sipas tij ideologjia mbizotëruese e regjimit në Serbi akoma mbetet albanofobia.
Rruga Press