Kamberi pas vizitës së Vuçiqit në Luginë: Pse shpërblehen me vende pune ata që fyejnë shqiptarët?
A është fyerja, sharja dhe urrejtja ndaj shqiptarëve parakusht për punësim në institucione shtetërore, z. President!?
Vizita juaj e fundit në Bujanoc dhe Preshevë, përkatësisht në Llopardincë dhe Strezoc, nuk ishte thjesht një vizitë në dy komuna ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët.
Ajo hapi një çështje shumë më serioze: çfarë mesazhi u dërgoni qytetarëve të Serbisë, e veçanërisht shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike?
Gjatë këtyre tubimeve publike, në praninë tuaj, u dëgjuan mesazhe fyese ndaj shqiptarëve. Dëgjuam deklarata poshtëruese ndaj shqiptarëve, me arsyetimin se gjoja nuk e flasin gjuhën serbe.
Në rastin tjetër, kur një qytetar përdori shprehjen fyese “Šiptar”, ju i premtuat se do ta punësonit në BIA, madje brenda 48 orësh.
Prandaj pyetja ime është shumë konkrete:
A e konsideroni të pranueshme që një qytetar i cili publikisht shpreh urrejtje dhe përçmim ndaj shqiptarëve të shpërblehet me premtimin e Presidentit të Republikës për punësim në BIA, dhe atë jashtë konkursit dhe procedurave të rregullta ligjore?
Nëse ky premtim është bërë seriozisht, atëherë ju pyes: a është ky mesazhi se gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi shpërblehet me privilegje dhe punësim në institucionet e sigurisë?
Kam edhe një pyetje, ndoshta edhe më të rëndësishme:
Pse, në vend që ta dënonit dhe ta ndalonit gjuhën raciste dhe antishqiptare në tubimet ku merrni pjesë, ju lejoni që mesazhe të tilla të thuhen publikisht në praninë tuaj?
Madje, kur thoni “e dinë, por nuk duan”, ju i nxitni edhe më shumë ata që të shfaqin këtë intolerancë.
Ju, në Llopardincë dhe Strezoc, premtuat fabrika dhe vende të reja pune. Por Luginës së Preshevës nuk i nevojiten fabrika të destinuara vetëm për serbët, e as privilegje të bazuara në përkatësinë etnike. Nevojitet trajtim i barabartë, punësim në përputhje me ligjin dhe institucione që i respektojnë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët.
Premtuat ndërtimin e një shkolle për nxënësit serbë. Në rregull. Por, në të njëjtën kohë, shpërfillni kërkesën e Komunës së Preshevës për ndërtimin ose renovimin e dy shkollave në gjuhën shqipe.
E për shkollën në fshatin Lluçan të Bujanocit, renovimin e së cilës ia kishit premtuar personalisht ambasadorit Chris Hill, as që dua të flas.
Ju pyes, zoti President:
Cili është qëllimi juaj? Të ndërtoni besim ndërmjet komuniteteve në Luginën e Preshevës apo të krijoni një atmosferë politike në të cilën fyerja dhe poshtërimi i shqiptarëve shpërblehet?
A është gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve një masë e lojalitetit ndaj Republikës së Serbisë?
Duke folur për pozitën e serbëve në Preshevë ju keni nxitur resantiman të viteve të 80-ta dhe , parodinë: “Askush nuk guxon t’ju rrahë.”
Megjithatë, kjo nuk është vetëm çështje e një episodi fyes.
Ju harroni se ata 1.600 serbë që jetojnë në Preshevë duhet të jetojnë edhe nesër dhe të përballen me shqiptarët.
Dhe si do të ketë ajo zonjë, e cila publikisht dëshiron t’i “jap flakaresha shqiptarëv fytyrës” që të përballet me po ata shqiptarë pas largimit tuaj?
A jeni pyetur ndonjëherë për këtë?
Ajo publikisht bën thirrje për dhunë, ndërsa ju heshtni.
Unë, personalisht, nuk jam i befasuar.
Sepse nëse ju mbroni ata që bëjnë thirrje për spastrim etnik apo deportim, atëherë kjo, për ju, është “punë e vogël”.
Në një shtet të përgjegjshëm, kjo do të ngrinte edhe çështjen e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës për atmosferën politike dhe ndëretnike që krijon në vend përmes tubimeve të tij.
Pa dyshim, kjo është edhe çështje e shkeljes serioze të Kushtetutës së Republikës së Serbisë:
* Neni 14 – Republika e Serbisë mbron të drejtat e pakicave kombëtare. Shteti garanton mbrojtje të veçantë të pakicave kombëtare me qëllim realizimin e barazisë së plotë;
* Neni 21 – Ndalimi i diskriminimit;
* Neni 76 – Ndalimi i diskriminimit të pakicave kombëtare;
* Neni 77 – Barazia në drejtimin dhe pjesëmarrjen në çështjet publike;
* Neni 79 – E drejta për ruajtjen e veçantisë;
* Neni 81 – Zhvillimi i frymës së tolerancës.
Prandaj kërkoj një përgjigje të qartë:
A e dënon Presidenti i Republikës së Serbisë gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve?
Dhe pse nuk i dënuat këto deklarata aty, në vendngjarje, në momentin kur u shfaq dhe u artikulua kjo urrejtje?
Pse shpërbleni me punësim në BIA ata që publikisht i fyejnë shqiptarët?
Rruga Press

