Bota

Kallas për sulmin e dyshuar rus ndaj aeroportit gjerman: Terrorizëm i sponsorizuar nga shteti

Diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të mërkurën se një sulm i dyshuar ndaj një aeroporti gjerman, për të cilin është fajësuar Rusia, përbën “terrorizëm të sponsorizuar nga shteti”, ndërsa vendet e BE-së po shqyrtojnë reagimin e tyre.

Qeveria gjermane të martën ka fajësuar Rusinë për përpjekjen për sulm në aeroportin Leipzig/Halle muajin e kaluar, duke përdorur një dron të mbushur me eksplozivë, dhe për më tepër, ka njoftuar se do të mbyllte një konsullatë ruse, krahas masave të tjera.

Droni është gjetur pranë një avioni ukrainas më 4 gusht, dhe pajisja shpërthyese është çaktivizuar. Zyrtarët gjermanë kane thënë në atë kohë se incidenti përbënte një nivel të ri rreziku.

“Është e qartë se ky rast i ka të gjitha tiparet e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti. Pyetja është: çfarë do të bëjmë për këtë?”, u ka thënë gazetarëve Kallas, përpara se të kryesonte një takim të ministrave të Mbrojtjes të bllokut, në Irlandë.

Lexo më shumë  Ukrainasit kryejnë sulm me raketa në Belgorod, godasin termocentralin dhe objektet e Ozonit në Rusi

Zyrtarët perëndimorë e kanë akuzuar gjerësisht Moskën zyrtare se po zhvillon një fushatë sabotimi dhe destabilizimi, me synimin për të minuar mbështetjen për Ukrainën dhe për të destabilizuar vendet evropiane.

Kallas ka thënë se BE-ja tashmë po planifikon të vendosë sanksione ndaj më shumë personave për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe se “ka në proces rreth 1.600 persona dhe subjekte që lidhen me kompleksin ushtarak të Rusisë, dhe ndoshta do të shtohen edhe të tjerë”.

Natyra e sulmit të dyshuar dhe përgjegjësia që i atribuohet Rusisë duket se kërkojnë një qasje të re nga BE-ja, por vendet anëtare mbeten të kujdesshme për të mos u tërhequr në një konflikt të hapur me një shtet të armatosur me armë bërthamore.

Lexo më shumë  Dorëhiqet sekretari i ushtrisë amerikane pas muajsh tensionesh në Pentagon

BE-ja ka vendosur dhjetëra paketa sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke synuar rreth 3.000 persona dhe subjekte, përfshirë presidentin Vladimir Putin, disa oligarkë që e mbështesin atë dhe dhjetëra ligjvënës rusë.

Sanksionet kanë prekur bankat dhe institucionet financiare ruse, si dhe qindra anije që përbëjnë të ashtuquajturën “flotë hije”, e cila transporton në mënyrë të paligjshme naftë për të financuar përpjekjet luftarake të Putinit. Në shënjestër janë vënë gjithashtu shumë kompani, veçanërisht ato të sektorit të energjisë dhe prodhuesit e dronëve.

Masat kryesisht përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit. Në listën e BE-së janë përfshirë gjithashtu persona dhe kompani nga vende që konsiderohen mbështetëse të Rusisë, përfshirë Bjellorusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Rruga Press

YouTube player