“Ju nuk jeni vetëm”/ Mijëra qytetarë prej 26 ditësh kërkojnë largimin e Ramës, eurodeputetja gjermane: Të hënën do t’i bashkohem protestës në Tiranë
Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej shumë ditësh. Me anë të një postimi në rrjetin social Instagram, Paulus ka shprehur mbështetjen e saj për tubimin, duke theksuar se të hënën e ardhshme do t’i bashkohet revoltës qytetare. Në postimin e saj, Paulus e përdori flamingon si simbol të rezistencës së banorëve dhe ambientalistëve që po kundërshtojnë projektet e planifikuara në zonën e Vjosë-Nartës dhe njëkohësisht po kërkojnë largimin e Ramës nga pushteti.
Ajo shprehet se do të shoh vetë situatën në Vjosa-Nartë dhe do të dëgjoj e kuptoj qytetarët dhe t’i çoj zërat e njerëzve në Bruksel e në Evropë. Eurodeputetja thekson ndër të tjera, se kur një habitat shkatërrohet një herë, ai nuk mund të rikthehet më dhe prandaj nevojitet vëmendje, standarde të qarta dhe vullnet politik për t’i zbatuar ato.
“Në Vjosa-Narta nuk bëhet fjalë vetëm për një deltë në bregdet. Bëhet fjalë për pyetjen nëse natyra mbrohet apo duhet t’u nënshtrohet interesave afatshkurtra të fitimit të miliarderëve. Dhe bëhet fjalë nëse rregullat demokratike dhe standardet mjedisore vlejnë edhe kur nuk përshtaten me modelin e biznesit. Njerëzit nuk mbrojnë vetëm natyrën. Ata mbrojnë edhe demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Dhe e bëjnë këtë me guxim dhe vendosmëri të jashtëzakonshme.
Të hënën në mbrëmje do të jem në protestat në Tiranë dhe të martën do të shoh vetë situatën në Vjosa-Nartë. Dua të dëgjoj, të kuptoj dhe t’i çoj zërat e njerëzve në Bruksel, në Evropë. Sepse kur një habitat shkatërrohet një herë, ai nuk mund të rikthehet më. Prandaj tani nevojitet vëmendje, standarde të qarta dhe vullnet politik për t’i zbatuar ato. Prandaj: solidaritet me të gjithë ata që dalin në rrugë për Vjosa-Nartën dhe për të ardhmen e saj. Edhe një herë: nuk jeni vetëm,” tha Jutta Paulus.
Rruga Press

