KryesoreOpinion/Aktualitet

Ju nuk e keni të drejtën të harroni/ Sébastien Gricourt, anëtar i Partisë Socialiste franceze i drejtohet miqve të vet të së majtës franceze

Sébastien Gricourt, anëtar i Partisë Socialiste franceze i drejtohet miqve të vet të së majtës franceze

… ju nuk e keni të drejtën të harroni…

Duke i përshëndetur ngrohtësisht shokët e forcave tona të majta franceze, teksa i vështroj nga jo shumë larg me një pështjellim të madh, do të dëshiroja të ndaja me ju rrëfimin mbi mbrëmjen e djeshme në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Jam i bindur që duhet ta bëj këtë rrëfim, dhe kjo është arsyeja se përse po shkruaj këtë herë në frengjisht, ngase në këtë vend dhe përgjithësisht në këtë rajon, si dhe po ashtu në #Ukraine, po bien mbi ne veçanërisht ligjërime deformuese dhe mashtruese të të djathtave ekstreme europiane, por po aq edhe të të majtave ekstreme, mes tyre #LFI,  subjekt me të cilin disa ngulin këmbë se duhet ta pësojmw bashkimin.

Po ju them pra se vendet e Balkanit, si Bosnie dhe Kosovë, që i kanë njohur luftërat e agresionit gjenocidal me bazë në zgjerimin territorial dhe në narrativat nacionaliste të ngritura mbi ekstrapolime historike, e kuptojnë përsosmërisht atë çka po pëson populli ukrainas, dhe pikërisht për këtë Kosova veçanërisht është plotësisht solidare me Ukrainën (shprehja e përbashkuar është më e vështirë në Bosnje ku një prej përbërësve të saj është pushteti i ndarjes dhe i negacionizmit…).

Dje mbrëma pra, të nesërmen e ceremonive të para që shënojnë festën kombëtare të Ukrainës, nën nismën e trupës diplomatike europiane dhe të Shteteve të Bashkuara, ne morëm pjesë në seancën e organizuar në nder të pesëmbëdhjetë gazetarëve ukrainas të strehuar në Prishtinë dhe të cilëve qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Gjermaninë dhe shoqata europiane që mbrojnë lirinë e gazetarëve, u ofron një strehë dhe kushte të mira pune pranë kolegëve të tyre kosovarë për me viju punën e tyre rreth ngjarjeve në vendin e vet. Dhe ashtu siç e tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ky është një program kyç për “me mbrojtë të vërtetën mbi Ukrainën dhe Kosovën”.

Lexo më shumë  NATO akuzon Rusinë për kërcënim të sigurisë në territorin e Aleancës

Meqë po përmend shprehjen e saj, të nderuar shokë, mos bini në kurthin e Putinit që përdor dinakërinë për me iu shti në besimin se mund të ngrihen paralele mes Donbas/Krimesë dhe Kosovës. Të besosh në gjë të tillë, do të thotë të kthehesh në armik të paqes në Europë, ndaj dhe nëse do të duhet, jam i gatshëm të vij e t’ju shpjegoj.

Mbrëmë, më pas, dy hapa më tej, në sheshin e mbushur plot, me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Kulturës, Sporteve dhe Rinisë, Hajrulla Çeku u krye përurimi i një ekspozite fotografike, me foto të Paul Lowe mbi rrethimin e Sarajevës (shihni për këtë fotografinë time modeste ku shfaqen disi fotot e tmerrshme bardh e zi dhe në sfond të tyre hoteli Grand me banderolën e tij Free Ukraine). Me këtë përurim nisi sesioni i parë i festivalit ndërkombëtar i quajtur FOTOIST ku 25 fotografë nga bota mbarë kanë ardhur për të paraqitur fotografitë që kanë bërë gjatë luftrave të shkuara dhe aktuale në botë.

Nga shprehjet e Paulit më mbeti një konstatim i frikshëm: ndërsa paraqiste fotografitë e tij në Beograd (në prani të OJQ-ve dhe qytetarëve të mirëinformuar, asnjë përfaqësues, kuptohet, i pushtetit aktual nuk merrte pjesë), ai ndeshi në të rinj 20 vjeçarë që as nuk e dinin se Sarajeva ka qenë e rrethuar (aq më tepër nga ajo që sot është ushtria e tyre). Eh pra, sa e lehtë është harresa, madje aq afër edhe Bashkimit Evropian, gjë që përbën shtratin e veprimit të ekstremit të djathtë.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Ja pra për mua mesazhi kryesor i kësaj mbrëmjeje të djeshme: shokë, ju nuk e keni të drejtën të harroni dhe t’u lini vend revizionizmit, negacionizmit të gjenocideve të shkuar dhe krimeve të tjerë të luftës dhe atyre kundër njerëzimit që po ndodhin në Ukrainë! Faje të tillë janë vetëm propaganda e ekstremit të djathtë. Mohimi i krimeve bëhet në të djathtë, por gjithashtu edhe nga partnerë të #NUPES (këtu qëndron arsyeja e parë e refuzimit të këtij bashkimi nga ana ime, sepse, sado që marrëveshjet mes partive pranojnë mosmarrëveshjet e tyre mbi Evropën dhe çështjet ndërkombëtare, mohimi i mësipërm është tashmë i tepërt për mua).

Mos jini të dyzuar në mbështetje të atyre, dhe me shtete si Kosova, që mbrojnë vlerat themelore të paqes dhe demokracisë, dhe do të shihni se si qendra e majtë social-demokrate do të zërë sërish vendin e duhur prej ku do ta mbrojë me sukses Evropën prej rreziqeve që e kërcënojnë duke i shpënë ekstremet aty ku e kanë vendin, në qoshet e tyre.

Duke ju uruar rinisje të mbarë të vitit politik, rinisje që më lë ende në pështjellim.

© Rruga Press

YouTube player