Art & KulturëBallina

Ju flet Konica

Nga Krenar Zejno

Konicës, më 15 dhjetor 1942, i ra të vdiste në tjetër kontinent. Nga mëmëdhetarët e lëvizjes komb, ky Faik, megjithë mërinë me prapambetjen dhe mërzinë e anatemimet ndaj saj, mbet i vetmi që e la të shkruar marazin testamentar: për rikthimin dhe prehjen në dheun mëmë, dheut që për të mbante farën e virtytit dhe bukurisë, të cilën ai do vijojë ta selitë…Po shkëpus për sot këtu, një copë marazi për të, dhe shprehje nga i tiji për Shqipërinë e tij.

Nga revista ‘Albania”… te vizioni Albaniapër qytetari e shoqëri dhe revizionim të saj …Sa është distanca nga një Faik te një Konicë? Dhe cila do të ishte, në rastin e tij, njësia matëse në domenin letrar, lëvruar prej shkrimit, dhe ajo e lëruar në terenin e kontekstit historik, prej rolit e përfshirjes edhe si misionar? Ç’peshë specifike ka jeta dhe shkrimi te jetëshkrimi i një tribuni të kësaj rëndësie, që e shpërngulte, sa lehtësisht aq me voli, ngado gjendej vetë, edhe qendrën e rëndesës mbi artikulimin e lëvizjes kombëtare? Në ç’rrethana, emergjenca për akte veprash atdhetare, kushtëzon pakte me haraç tributi ndaj artit të veprës letrare?…Ajo botë e letrave, “Albania” revistë, a do të qe krijuar pa një Faik! E nëqoftë se nuk do ta kishim korpusin e saj – peshën së cilës e mbajti mbi shpatulla mësëshumti vizioni i Konicës mbi Shqipërinë dhe një qytetari e shoqëri shqiptare me revizionimin e saj-, pra pa qenë kryer revista “Albania”, vallë e themi dot me siguri të plotë se do qe kryer vërtet Shqipëria që sot e kemi? A do të qe trupëzuar një Shqipëri më vete, politike, edhe pa atë dosje poetike nga njerëzit e letrave, me dëshmi shpëtimtare gjuhën, atëbotë verdikti fuqie, avokatinë ndaj të cilit e pat marrë mbi vete gjuha dhe shkrimi, edhe në arenën “Albania”?! Dhe si, ky Faik botues, rrotullohet rreth vetes shkrues shkrimtar e gjithaq predikues, e njëkohësisht, rreth diellit të atdhetarisë! Pa të cilin s’bën dot, dhe në çdo rrethanë, vendndodhje e ndodhi, nuk ia ndan sytë. Deri në atë pikë durimi kur nuk e përballon dot ta shohë më gjatë. E kur nga lindja avitet duhia e ngeshme e zhegut të vapës dhe ia përvëlon lëkurën, ky i kthehet me tema e nëma të vjetra pagane dhe anatema risi koniciane.Si e kalëronte ky pasardhës bukurie, beau comme un chevalier albanais, hapësirën e qëmtuesit modern e shkruesit poliedrik universal dhe, njëherit, botues erudit nëpër shtigjet e gjuhës, edukimit, qytetarisë dhe kombëtares; pastaj, si e zhvendos shënjestrën në ulje-ngritje sipas destinacionit dhe niveleve të lexuesit, dhe si i ndante mes rrathëve në sferën e shkrimit, paralelet dhe meridianët për adresimet e tij; pastaj, ato në qitjet që shenjonin afër e larg, diku edhe të ngjashmit duke i veçuar të tjerët, e diku anasjelltas; kurse, aty-këtu, pothuaj të tërë pa përjashtim! E prapë… si mbahej kjo marrëdhënie kalorsiake e kësi plejade edhe në fjalë burrash!E prapëseprapë… si, ky zë kontroversial revolte, apel i fjalës së lirë, lirisë dhe laicizmit emancipues, u ngrit gjer në volum enciklopedie Albanie, që e shfaq atë ndër ne, njëherit, edhe Volter edhe Didero?! Krenar Zejno, fragment nga parathenia e botimit “Zenit” me dy romanet e Faik Konicës Ju flet Konica:Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).Bufonët jargaviten bashkë me pallavrat. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 30 korrik 1898).Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 30 janar 1899).Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (Vepra 1, f. 155).Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Po aty, f.198).Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Po ty, f. 271).Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (V 2, f. 34).Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë… Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, 1897).Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (V. 3, f. 75).Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit. (Albania 2, 1897)Djem të Shqipërisë, shpresa e atdheut, ju që s’e kini gjakun të ftohur nga pësimet, as trutë të thara nga interesi, ju duhet ta doni flamurin e racës suaj, ta doni me thellësi e me zjarr. U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kanë kurdoherë për të mësuar nga të rinjtë. Djelmuri shqiptare, mësoi Kombit shqiptar fenë e Flamurit. (Po aty, f. 107).Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend e ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden e të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: njëqind vjet në vafshim si po vemi, do jemi aq poshtë sa sot.

(Po aty, f. 15)

Rruga Press

YouTube player