Joseph: Njohja e Kosovës edhe nga 5 vendet e BE-së i jep fund lojës së Vuçiç
Profesori amerikan Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, tha për radion Evropa e Lirë se ka përpjekje serioze që Kosova të sigurojë njohjen nga pesë shtetet e BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Ai thotë se një sinjal për këtë është edhe deklarata e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë televizionit Kanal 10 më 19 tetor, se “njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së është më e rëndësishmja që Kosova mund të marrë nga cilido proces”.
Në të njëjtën kohë, shton Joseph, “kemi raportime të pakonfimuara, por raportime se propozimi franko-gjerman vendos në qendër njohjen e Kosovës nga shtetet jonjohëse të BE-së”.
Joseph thotë se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, deri më tani, i kanë dhënë një avantazh apo fuqi të padrejtë Serbisë për të bllokuar Kosovën në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kur ia largon fuqinë Serbisë, krijon mundësinë për atë që të gjithë e duan. Një negociatë të drejtë (të balancuar). Askush nuk dëshiron ta poshtërojë Serbinë, por qëllimi është një negociatë e drejtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se këto njohje do ta përfundonin “lojën e Aleksandar Vuçiçit”, president i Serbisë, i cili, siç thotë Joseph, pretendon se “dëshiron kompromis të drejtë me Kosovën” dhe se “është partner i Perëndimit”.
“(Kur të arrihet njohja nga pesë vendet e BE-së) njohja e Serbisë do të jetë e pashmangshme dhe më pak e rëndësishme”, thotë Joseph.