KryesoreLajme

Joe Wilson, njeriu pas investitorëve të Zvërnecit, kërkon hetim për Ramën

Për vite me radhë, emri i Shqipërisë është përmendur në Uashington kryesisht për zgjerimin e NATO-s, stabilitetin në Ballkan apo reformën në drejtësi. Sot, për herë të parë pas shumë kohësh, Shqipëria është bërë pjesë e debatit politik amerikan për një arsye krejt tjetër: narkotrafikun dhe projektin e lidhur me familjen Trump në jug të vendit.

Sinjali më i fundit erdhi nga Kongresi amerikan, ku republikani Joe Wilson ka depozituar një amendament, i cili kërkon që Departamenti amerikan i Shtetit, në koordinim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, të hartojë një raport të klasifikuar mbi shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe mbi rolin që mund të ketë pasur qeveria shqiptare në lehtësimin ose mundësimin e tij. Teksti i amendamentit i publikuar nga Hashtag.al nuk lë vend për interpretime.

“Jo më vonë se 180 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Sekretari i Shtetit, në koordinim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, do t’u paraqesë komiteteve përkatëse të Kongresit një raport të klasifikuar… që shqyrton shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin e qeverisë së Shqipërisë në lehtësimin ose mundësimin e këtij narkotrafiku.”

Amendamenti ka kaluar tashmë fazën në komisione dhe pritet të shqyrtohet në seancë plenare.

Joe Wilson nuk është një emër periferik në politikën amerikane. Ai është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe i Komisionit për Forcat e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri–SHBA dhe prej vitesh një nga mbështetësit më të fortë të Kosovës në Kongres.

Por rëndësia e tij nuk lidhet vetëm me pozicionin institucional. Vetëm pak muaj më parë, emri i ëilson u shfaq në një investigim të The New York Times me titull “Bilionerët sirianë kërkojnë favore në Washington. Ata përfshijnë emrin e Trump”. (shiko linkun më poshtë)

Artikulli tregonte se si familja siriane Al-Khayyat, investitorët që sot qëndrojnë pas projektit të resortit në Zvërnec, kërkonte të afrohej me administratën Trump për të siguruar mbështetje politike për interesat e saj në Siri.

Sipas investigimit, ishte pikërisht Joe Wilson ai që u sugjeroi investitorëve mënyrën më të mirë për të fituar vëmendjen e presidentit amerikan.

“Unë e di si t’ia tërhiqni vëmëndjen presidentit. Ndërtoni një Kurs Kombëtar të Golfit me emrin Trump në Siri” citohet ai nga NYTimes.

Me pak fjalë Wilson ishte një nga njerëzit që ndihmoi në afrimin e tyre me rrethin e Donald Trump.

Lexo më shumë  Shirat e rrëmbyeshëm vërshojnë në Shkup, probleme në qarkullim dhe infrastrukturë

Pak kohë më vonë, të njëjtët investitorë u shfaqën në Shqipëri si partnerët financiarë të projektit të resortit në Zvërnec, ku u përfshinë edhe Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Në atë moment, projekti u prezantua si një sukses i madh diplomatik i qeverisë shqiptare. Prania e dhëndrit dhe vajzës së presidentit amerikan u interpretua si dëshmi e besimit të investitorëve të mëdhenj ndaj Shqipërisë.

Por zhvillimet që pasuan e ndryshuan rrënjësisht historinë.

Fillimisht erdhën protestat e banorëve të zonës. Më pas mobilizimi qytetar që u shndërrua në atë që media ndërkombëtare e pagëzoi “Revolucioni i Flamingove”.

Brenda pak javësh, një projekt që ishte menduar të simbolizonte investimet elitare në Mesdhe u kthye në një histori globale për konfliktin mes interesave private, mbrojtjes së natyrës dhe pushtetit politik.

The New York Times, Financial Times, BBC, The Guardian, Politico, Associated Press dhe shumë media të tjera e sollën Shqipërinë në faqet e para, jo si destinacion investimesh, por si vendin ku një projekt i lidhur me familjen Trump po përballej me protesta masive dhe polemika të forta.

Historia u komplikua edhe më tej kur në qendër të saj u shfaq emri i Artur Shehut, një nga personat që SPAK po heton në kuadër të dyshimeve për veprimtari kriminale dhe pastrim parash. Nga përtej Atlantikut erdhi dosja “Aruba” që kishte në qendër grupe trafikantësh që planifikonin pastrimin e parave të pista në resorte dhe kulla në Shqiperi.

Prokuroria e Posaçme vendosi sekuestro mbi llogaritë bankare të shoqërisë Albania Land Development, investitorja e projektit në Zvërnec, duke bllokuar një pjesë të transaksioneve financiare të lidhura me zhvillimin e resortit. Kjo bëri që një projekt i prezantuar fillimisht si investim strategjik të lidhej edhe me hetime penale, ku bien në sy një nga grupet më të fuqishme të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Edhe gjatë seancës së konfirmimit të ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt, senatorët ngritën pyetje mbi marrëveshjet e biznesit të lidhura me familjen Trump në Shqipëri. ëendt deklaroi se nuk kishte dijeni për investime private të familjes së presidentit në Shqipëri, por theksoi se ambasada amerikane do të mbështesë të gjitha bizneset amerikane në mënyrë të barabartë dhe se respekton punën e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit.

Lexo më shumë  Lot krenarie në diplomimin e kadetëve të FSK-së

Në këtë moment, çështja hyri në politikën amerikane.

Në fushatën për rizgjedhjen në Senat, demokrati Jon Ossoff e përdori Shqipërinë si një nga argumentet kryesore në sulmet e tij ndaj familjes Trump.

“Në brigjet e Shqipërisë ndodhet një ishull i vogël e i bukur që quhet Sazan. Jared Kushner e do atë ishull. Mori miliardat saudite dhe vendosi të ndërtojë aty një resort”, deklaroi Ossoff para mbështetësve të tij.

Ai shtoi se vetëm pak javë pasi Donald Trump fitoi mandatin e dytë presidencial, qeveria shqiptare i dha kompanisë së Kushner statusin e investitorit strategjik, duke përshpejtuar procedurat për projektin.

Më pas ai e quajti Sazanin “një thesar kombëtar shqiptar”, iu referua protestave të “Revolucionit të Flamingove” dhe ngriti pyetjen që përmbledh gjithë strategjinë politike të demokratëve.

“A do t’i merrte Jared Kushner këto privilegje nëse nuk do të ishte dhëndri i presidentit?”

Ossoff paralajmëroi se personat e përfshirë në këto marrëveshje mund të thirren për të dëshmuar para Kongresit amerikan. Pra, projekti shqiptar është bërë pjesë e debatit mbi etikën e administratës Trump në nisje të betejës elektorale amerikane.

Asnjë nga këto zhvillime, i marrë më vete, nuk provon se në Uashington ka ndryshuar qëndrimi ndaj Edi Ramës. Por, të marra së bashku, ato krijojnë një tablo të re.

Nëse deri dje projekti i Zvërnecit konsiderohej nga qeveria Rama si një sukses ndërkombëtar, sot ai mund të jetë shndërruar në një barrë politike që po përdoret njëkohësisht nga demokratët për të goditur Donald Trump dhe nga republikanë me peshë për të kërkuar një pastrim ndaj koktejlit të parave të pista dhe të abuzimit që u ofroi qeveria e Shqipërisë./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player