KryesoreLajme

Jo vetëm ushqimet, gjithçka po shtrenjtohet! Inflacioni bazë arrin nivelet më të larta prej fillimit të vitit 2024

Inflacioni bazë u rrit për të pestin muaj radhazi në korrik dhe ka arritur nivelet më të larta që prej fillimit të vitit 2024.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë u rrit në 2.91%, nga 2.69% që kishte qenë për qershorin. Inflacioni bazë ka përvijuar gjithashtu një tendencë të qëndrueshme të rritjes me bazë vjetore. Në qershorin e vitit të kaluar ai kishte qenë në nivelin 2.29%.

Nënshporta që mat inflacionin bazë është zgjeruar lehtësisht me rishikimin e peshave në vitin 2025, në 69.6% të totalit të shportës së IÇK-së, nga 69% në vitin 2024.

Inflacioni bazë përjashton kryesisht ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, produktet ushqimore dhe ato energjetike dhe ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë vlerësonte se inflacioni vazhdon të jetë nën objektivin prej 3%, i ndikuar nga rënia e inflacionit nga jashtë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe goditjet e përsëritura të ofertës. Por, nga ana tjetër presionet e brendshme inflacioniste mbeten të qëndrueshme, duke sugjeruar se aktiviteti ekonomik është pranë potencialit.

Lexo më shumë  Costa nis vizitën në Kosovë, takon Haxhiun

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë ngelet mbi inflacionin total dhe mbi mesataren e vet të dekadës së fundit, ndërkohë që inflacioni i brendshëm kaloi vlerën e inflacionit total në muajin qershor dhe vijon të mbetet mbi mesataren respektive, duke filluar nga muaji mars i këtij viti. Këto vlerësime konfirmojnë qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, por, megjithatë, në muajin korrik, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 2.75% në 2.5%. Kjo ishte ulja e tretë e normës bazë të interesit në harkun e një viti.

Rritja e vazhdueshme e inflacionit bazë deri në kufirin e 3% mund të jetë një sinjal i një ndryshimi të ri në kursin e politikës monetare në muajt e ardhshëm.

Lexo më shumë  Reuters jehonë protestës: Shqiptarët protestojnë për resortin luksoz në bregdetin e virgjër

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto për qershorin u rrit në 3.04%, nga 2.45% që kishte qenë për qershorin. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin korrik u rrit në 2.94%, nga 2.45% që kishte qenë në muajin qershor.

Sipas INSTAT, inflacioni total në ekonomi, i matur për të gjithë shportën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit për korrikun u rrit më tej në 2.5%, nga 2.4% që kishte qenë për muajin qershor dhe 2.1% që kishte qenë një vit më parë.

Rruga Press

YouTube player