Japonia inkurajon të rinjtë të pinë alkool, por pse?
Autoritetet japoneze kanë nisur një konkurs kombëtar, duke bërë thirrje për ide për të inkurajuar brezin e ri, nga mosha 20 deri në 39 vjeç, të pinë më shumë alkool, pasi një ndryshim në qëndrimet e të rinjve për alkoolin çoi në një rënie të të ardhurave nga taksat.
Brezat e rinj të Japonisë po pinë më pak alkool se prindërit e tyre, gjë që po ndikon në prodhimin dhe redukton të ardhurat e qeverisë nga taksat mbi pijet alkoolike, raporton BBC-ja.
Agjencia Kombëtare e të Ardhurave të Brendshme (NTA) ka nisur fushatën e quajtur ‘Sake viva’. Konkursi, i cili zgjat deri më 9 shtator, kërkon “produkte dhe dizajne të reja”, si dhe mënyra për të promovuar pijen në shtëpi, dhe propozimet më të mira do të zhvillohen më tej me ndihmën e ekspertëve përpara se zgjidhjet përfundimtare të paraqiten në nëntor.
Pjesëmarrësit inkurajohen të eksplorojnë metodat e shitjes duke përdorur teknologjitë më të fundit që përfshijnë inteligjencën artificiale, sipas BBC.
NTA tha se konsumi i alkoolit në Japoni ka rënë nga mesatarisht 100 litra për person në vit në 1995 në 75 litra në 2020.
Ulja e shitjeve të alkoolit goditi buxhetin japonez dhe rriti më tej deficitin buxhetor.
Taksat mbi alkoolin përbënin 1.7 për qind të të ardhurave tatimore të Japonisë në vitin 2020, tre për qind në vitin 2011 dhe pesë për qind në vitin 1980, sipas BBC-së.
Rruga Press