Ja gjasat që Mike Pence ta mposhtë Donald Trumpin në vitin 2024, sipas sondazheve
As ish-presidenti Donald Trump dhe as ish-zëvendëspresidenti Mike Pence nuk kanë deklaruar se do të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, por ka pasur mjaft spekulime në lidhje me të dy.
Deri më tani, rezultatet e sondazhit tregojnë se Pence nuk do të dilte mirë kundër Trumpit.
Të enjten, komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat e 6 janarit 2021, në Kapitolin e SHBA-së, po planifikon të fokusohet në pretendimet se Trumpi u përpoq të ushtronte presion ndaj Pence-it që të mos certifikonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Veprimet e supozuara të Trumpit po shqyrtohen si një nga shkaqet kryesore të mundshme të trazirave, gjatë së cilave thuhet se janë bërë kërcënime me jetë ndaj Pence-it.
Pence dhe Trump kanë pasur një marrëdhënie të tensionuar që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë për shkak të vendimit të ish-zëvendëspresidentit për të mos ndërhyrë në certifikimin e fitores zgjedhore të Presidentit Joe Biden. Në verën e vitit 2021, Pence e quajti 6 janarin “një ditë të errët”, gjatë një darke me republikanët. Ndërkohë, Trumpi tha muajin e kaluar në një intervistë se ishte “shumë i zhgënjyer” nga Pence për mosmbështetjen ndaj pretendimeve të tij për mashtrim zgjedhor, të cilat nuk mbështeten në asnjë provë.
Telsa Trumpi vazhdon të jetë një figurë përçarëse në politikën amerikane, sondazhet tregojnë se ai ka një avantazh të konsiderueshëm ndaj Pence-it. Në një sondazh të Harvardit CAPS/Harris, të kryer më 18-19 maj, 41 përqind e votuesve republikanë/të pavarur thanë se do të votonin për Trumpin nëse zgjedhjet paraprake të vitit 2024 “mbaheshin sot”, krahasuar me 7 përqind që thanë se do të mbështesnin Pence-in.
Një sondazh i mëhershëm i Harvardit CAPS/Harris, nga fundi i janarit, doli në rezultatin se Trumpi do ishte fitues në zgjedhje hipotetike të vitit 2024. Ish-presidenti mori 57 përqind mbështetje nga votuesit e mundshëm republikanë në atë sondazh, ndërsa Pence u mbështet nga 11 përqind prej tyre.
Këto rezultate të janarit pothuajse përputhen me gjetjet e një sondazhi të Reuters/Ipsos të fillimit të të njëjtit muaj, që zbuloi se Trumpi kishte 54 përqind, krahasuar me 8 përqind të Pence-it.
Megjithëse Pence nuk ka thënë se do të kandidojë në vitin 2024, ai gjithashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë. New York Times raportoi së fundmi se Pence u pyet në prill për një fushatë të mundshme zgjedhore për Shtëpinë e Bardhë në ciklin e ardhshëm zgjedhor.
Muajin e kaluar Trumpi u pyet gjatë një interviste në Fox Business për një përballje të mundshme me Pence-n në vitin 2024.
“Nëse ai kandidon, dua të them, nuk do të shqetësohesha për këtë”, u përgjigj Trumpi. “Njerëzit janë shumë të zhgënjyer me Mike-un dhe nëse ai kandidon, nuk mendoj se do të ishte problem”.
Nëse Pence përfundimisht vendos të kandidojë, ai mund të përballet gjithashtu me konkurrencë nga guvernatori i Floridës, Ron DeSantis. Megjithëse DeSantis nuk e ka shpallur kandidaturën e tij, ai konsiderohet të jetë një zgjedhje e vlefshme ndër shumë votues, përfshirë edhe miliarderin e teknologjisë Elon Musk, i cili ofroi mbështetjen e tij për të këtë javë.
Në sondazhin e muajit maj të Harvardit CAPS/Harris, DeSantis mblodhi 12 përqind të votave në gamën hipotetike të kandidatëve, ku përfshihej edhe Pence dhe Trumpi. Kur votuesit e mundshëm u pyetën se kë do të mbështesnin nëse Trumpi nuk do ishte një opsion, 25 përqind zgjodhën DeSantis-in, ndërsa 15 përqind zgjodhën Pence-in./Newsweek
©Rruga Press