Izraeli nis sulm ndaj Iranit, godet zonat bërthamore dhe ushtarake
Izraeli ka sulmuar kryeqytetin e Iranit të premten dhe ka thënë se ka shënjestruar zonat bërthamore dhe ushtarake.
Ushtria izraelite ka thënë se 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulmet që po vazhdojnë mbi Iranin.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli kreu operacion ushtarak duke e arsyetuar se qëllimi është të frenohet kërcënimi i Iranit ndaj shtetit të tij.
Ai ka paralajmëruar se sulmi do të vazhdojë deri në “eliminimin” e këtij kërcënimi.
Nga zonat e goditura ishte selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike në Teheran, duke vrarë komandantin e saj, Hossein Salami, sipas mediave vendase.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, është vrarë në sulm, raportoi AP. Zyrtarë të tjerë ushtarakë po ashtu kanë mbetur të vrarë.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka konfirmuar se zona kryesore bërthamore e Iranit në Natanz është goditur nga Izraeli. E ka konfirmuar se termocentrali bërthamor iranian Bushehr, në bregdetin e Gjirit Persik, “nuk është shënjestruar dhe se nuk është vërejtur asnjë rritje e niveleve të rrezatimit në zonën e Natanzit”.
Nga sulmet raportohet se janë vrarë disa persona.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar pasoja të rënda ndaj Izraelit.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, ka thënë se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit dhe se ata po punojnë që t’i ndalojnë.
Gjendje emergjente është shpallur në Izrael.
Kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” në Lindjen e Mesme, teksa ka dënuar sulmet e Izraelit.
Ministri i Jashtëm iranian ka bërë thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojnë sulmet e Izraelit. Ai ka theksuar se sulmi “e ekspozon sigurinë botërore ndaj kërcënimit të paprecedentë”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka qenë i njoftuar për planet e Izraelit më parë, por e ka bërë të qartë se ushtria amerikane nuk luajti rol në operacion.
“Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore dhe ne po shpresojmë të rikthehemi në tavolinën e negociatave”, ka thënë ai.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, i ka bërë thirrje Iranit dhe Izraelit që të depërshkallëzojnë tensionet urgjentisht.
“Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në rajon”, ka thënë ai.
Jordania ka mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore si masë sigurisë.
Rruga Press

