Izraeli nënshkruan një marrëveshje prej 5.2 miliardë dollarësh me Boeing për të blerë 25 aeroplanë luftarakë F-15
Ministria izraelite e Mbrojtjes ka njoftuar se ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë 25 aeroplanë luftarakë të gjeneratës së ardhshme F-15 nga Boeing.
Ministria tha se marrëveshja prej 5.2 miliardë dollarësh ishte pjesë e një pakete më të gjerë të ndihmës amerikane të miratuar nga administrata dhe Kongresi amerikan në fillim të këtij viti dhe përfshinte një opsion për 25 aeroplanë shtesë.
Bëhet e ditur se dorëzimi i aeroplanit të ri F-15IA do të fillojë në vitin 2031, me 4-6 të tjerë që do të dorëzohen çdo vit.
Aeroplani do të pajiset me sisteme armësh, si dhe do të ketë rreze dhe ngarkesë të shtuar, shkruan Reuters.
“Këto avantazhe do t’i mundësojnë Forcave Ajrore izraelite të ruajnë epërsinë e saj strategjike në adresimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme në Lindjen e Mesme”, tha ministria në një deklaratë.
“Kjo përfaqëson një përmirësim historik të fuqisë sonë ajrore dhe shtrirjes strategjike – aftësi që u provuan gjatë luftës aktuale”, tha drejtori i përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes, Eyal Zamir.
Zamir shtoi se qeveria ka siguruar marrëveshje prokurimi me vlerë rreth 40 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës në Gaza që filloi më 7 tetor 2023.
“Ndërsa fokusohemi në nevojat imediate për armatim dhe municione të avancuara, ne po investojmë njëkohësisht në aftësi strategjike afatgjata”, tha ai.
Ndryshe, për Boeing, marrëveshja F-15 është marrëveshja e dytë e madhe këtë vit.
Në gusht, transportuesi El Al Israel Airlines nënshkroi një marrëveshje me Boeing për blerjen e deri në 31 737 MAX aeroplanësh me vlerë deri në 2.5 miliardë dollarë.
Rruga Press