Izraeli merr nën kontroll spitalin më të madh në Gaza
Forcat izraelite hynë në spitalin “Al Shifa” të Gazës natën mes së martës dhe së mërkurës, pas një beteje të gjatë. Trupat e shtetit hebre deklaruan se po kryenin një operacion specifik kundër Hamasit, pavarësisht se në spital ndodheshin disa qindra pacientë dhe personel mjekësor.
Disa orë më herët, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby mbështeti pretendimet e Izraelit se Hamasi po e përdor spitalin si një qendër operacionale.
“Mund t’ju konfirmoj se kemi të dhëna se Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez përdornin spitalet në Rripin e Gazës, përfshirë atë “Al Shifa”, si baza për t’u fshehur, për të organizuar operacionet e tyre ushtarake dhe për të mbajtur pengjet”, deklaroi Kirby.
Gjatë ditës, Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi kërkoi një armëpushim për evakuimin e të sapolindurve që nuk ndodheshin në inkubatorë. Pas ditë të tëra sulmesh ajrore, energjia elektrike në spital është ndërprerë dhe pamjet e të miturve kanë shkaktuar shqetësim ndërkombëtar.
Situata në spitalet e tjera të Gazës është gjithashtu e rëndë. OKB thotë se 22 nga 36 nuk janë funksionalë pasi nuk ka karburant për gjeneratorët. 14 spitaleve që janë ende hapur po u mbarojnë furnizimet e nevojshme për operacione kirurgjike.
“Dëgjova zhurmën e bombardimeve dhe e gjeta veten në spital. Këto janë zonat e sigurta për të cilat flitet. Por nuk ka zonë të sigurt në Gaza, nuk janë as tregjet, as parqet, as shkollat dhe as spitalet”, deklaroi për mediat Raed Baker, palestinez i zhvendosur.
Hamas vijon të mohojë akuzat se përdor spitalet, në veçanti atë “Al Shifa”, për t’u fshehur apo për të organizuar operacionet e saj ushtarake.
Rruga Press