Lajme

Ish-kolonelja e policisë serbe: Aleksandar Vuçiq i lidhur me kriminelët, Veljko Belivuk dhe të tjerët janë krijuar në pushtetin e partisë SNS

Pushteti i presidentit serb Aleksandar Vuçiq është i lidhur me kriminelët dhe se këta si Veljko Belivuk i ka krijuar shteti.

Kështu ka thënë ish-kolonelja në Ministrinë serbe të Punëve të Brendshme, Sllavica Radovanoviq duke shtuar se kriminelët më të mëdhenj janë formuar në pushtetin e Partisë Progresiste Serbe (SNS) që drejtohet nga vet Vuçiqi.

“Qeveria [e Serbisë] ishte e lidhur me kriminelët dhe i vendoste bashkëpunëtorët e saj në kuadrin e bashkëpunimit dhe komunikimit. Lidhja ka ekzistuar gjithmonë, por kohëve të fundit ka marrë vrull. Kur e shikon, kriminelët më të mëdhenj i ka krijuar vet shteti”, thotë Radovanoviq.

Ajo në një intervistë për mediet serbe, pohon se krimineli famëkeq Veljko Belivuk i njohur edhe si Velja Nevolja është krijuar në kohën e pushtetit të SNS-së.

“Duhet bërë një analizë e personave që kanë ardhur në MPB për poste shumë të rëndësishme në 10 vitet e fundit. SNS menaxhon kuadro të tilla. Belivuk nuk është krijuar nga opozita, por është krijuar në kohën e pushtetit të SNS-së. Është për të ardhur keq që Qeveria serbe i mohon kontaktet e tilla”, pohon ajo.

Radovanoviq përmend edhe ish-sekretaren shtetërore, Dijana Hrkaloviq për të cilën thotë se duhet të ketë hetime se si kishte ardhur ajo në MPB.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

“Nëse do të fillojmë të pyesim se kush me kë është në marrëdhënie, duhet të fillojmë me Hrkaloviqin. Ajo është nga njerëzit më të papëlqyer, cila mori vendime shumë të gabuara për MPB-në, për shkak të të cilave nuk mund t’ia rikthejë imazhin institucionit, në vend që të ndiqet penalisht dhe të mbartë pasojat ajo po përpiqet të pastrohet për t’iu kthyer skenës politike”, përfundon Radovanoviq.

Nga raportimet e medieve në Serbi, Hrkaloviq kishte hyrë në Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA) me ndihmën e huliganëve.

“Është padyshim e qartë se ajo ka qenë e afërt me huliganët para se të merrte detyrën në BIA, ka shkuar në turne me ta dhe në atë kohë po shoqërohej intensivisht me krerët e fraksioneve që tashmë kishin dosje vuliminoze. Megjithatë, mbetet mister se si ajo arriti të punësohej në BIA”, thuhet në raportimet e medieve serbe.

“Në paraqitjen e saj, Hrkaloviq vuri në pah tre huliganë, të cilët prej vitesh janë të njohur për çdo oficer të MPB-së serbe. Këta janë drejtuesit e grupeve të ndryshme të tifozëve të Partizanit. Ljubomir Markoviq – Kiça, Djordje Preliq – Prela dhe Millosh Radisavljeviq – Kimi, secili prej tyre ka një dosje të trashë sa një enciklopedi, ndërsa disa janë dënuar për vrasje, shkelje të rendit, lëndime të lehta e të rënda trupore, pengim dhe sulm ndaj policisë dhe shumë krime të tjera”, theksohet aty.

Lexo më shumë  Maqedonci jep detaje për procesin e hapjes së fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorin për dizejnimin e dronëve

Po ashtu, Belivuk i kishte thënë prokurorit se ka punuar për shtetin, me urdhër të Vuçiqit dhe se grupi i tifozëve “Principi” është formuar për nevoja dhe me urdhër të presidentit serb.

Ai këtë koment e ka bërë gjatë mbrojtjes së tij në lidhje me hetimin për dy vrasje të tjera, përkatësisht likuidimin e Goran Mihajloviqit dhe Nikola Mitiqit.

Belivuk ka shtuar me urdhër të politikës së bashku me biznesmenin kontrovers nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe Aleksandar Stankoviq, i njohur si Sale Mutavi ka dërguar huliganët e tij për demoluar objektet në rrugën Hercegovaçka në Beograd, duke paralajmëruar se do të japë më shumë detaje për lidhjen e tij biznesore me organet e shtetit.

Duke qenë se kjo nuk është hera e parë që Belivuk jep detaje të marrëdhënies së tij me shtetin, lind pyetja se çfarë mund të zbulojë më tepër, pasi që lista e rasteve të tilla që publiku serb dyshon është e gjatë.

Rruga Press

YouTube player