Bota

Ish-këshilltari i Trump dënohet me katër muaj burg pasi refuzoi të dëshmonte për sulmin e 6 janarit

Steve Bannon, ish-udhëheqësi i fushatës së Donald Trumpit dhe strategu i tij në Shtëpinë e Bardhë, u dënua nga një gjykatë federale e Uashingtonit me katër muaj burg dhe një gjobë prej 6500 dollarësh për shpërfillje të Kongresit dhe pasi refuzoi të dëshmonte në hetimin për sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kongresit Amerikan.

Sipas prokurorëve, që nga marrja e thirrjes, Bannon “ka ndjekur një strategji të kundërshtimit dhe përbuzjes së autoriteteve”.

Me mbërritjen në gjykatën federale në Uashington, Bannon u prit nga protestuesit që bërtisnin “Tradhtar. Fashist!”

Me një ton sfidues, Bannon u tha gazetarëve: “Mos harroni, ky regjim i paligjshëm, dita e gjykimit të tyre është më 8 nëntor”, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme të Kongresit.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

Departamenti i Drejtësisë kishte kërkuar një dënim me gjashtë muaj për Bannon, duke cituar në dosje hetimore se, në vend që të bashkëpunonte me gjykatën, Bannon “frustroi në mënyrë të vazhdueshëm një hetim të Kongresit me rëndësi të madhe kombëtare”.

Pavarësisht dënimit me burg, Bannon mund të qëndrojë jashtë edhe vitin e ardhshëm duke apeluar çështjen e tij.

Hetimi i nisur nga një komitet i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve vlerësoi se Bannon e dinte paraprakisht planin e mbështetësve të linjës së ashpër të Trump për të sulmuar Kongresin më 6 janar me synim për të parandaluar që demokrati Joe Biden të konfirmohej si presidenti i ardhshëm.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Bannon shërbeu në Shtëpinë e Bardhë për shtatë muajt e parë të mandatit të Trump, duke u larguar për shkak të konflikteve me zyrtarët e tjerë të lartë.

Në vitin 2020, Bannon u akuzua për mashtrim dhe pastrim parash për marrjen e miliona dollarëve për përdorim personal që donatorët kishin kontribuar për ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën.

Ndërsa të tjerët u gjetën fajtorë në skemë, Trump akordoi një falje të plotë për Bannon përpara se të largohej nga detyra në janar 2021, duke çuar në rrëzimin e akuzave kundër tij.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *