Lajme

Ish-ambasadori Kossnett kritikon Perëndimin që s’e tërhoqi Serbinë nga Rusia

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kossnett, i ka quajtur të dështuara përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për ta tërhequr Serbinë drejt Perëndimit.

Ai ka deklaruar në një intervistë për “Euractiv” se Serbia “qartazi është futur thellë në krahët e Rusisë dhe të Kinës.

“Unë mendoj se Serbia është qartazi e futur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës. Pra, çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve për të tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk kanë treguar ende ndonjë rezultat”, ka thënë Kossnett.

Sipas ish-ambasadorit, Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, derisa ka theksuar se njohja e Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse “do të ishte manifestim i rëndësishëm i solidaritetit evropian dhe perëndimor”.

Lexo më shumë  Kurti takon profesoreshën Vjollca Konjufca, ligjëruese në Universitetin e Southern Illinois të ShBA-së

“Mendoj se kjo do të ishte një kohë e mirë për SHBA-në dhe Bashkimin Evropian që t’i bëjnë një thirrje të fortë atyre vendeve evropiane që janë anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë”, ka shtuar ai.

Kossnett, që aktualisht është bashkëpunëtor i lartë për programin e mbrojtjes dhe të sigurisë transatlantike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, ka theksuar se Evropa dhe Perëndimi duhet të jenë më realistë. Duke folur për sanksionet e vendosura ndaj Kosovës dhe mundësinë për sanksionimin e Serbisë, është shprehur se kjo nuk është zgjidhje.

Lexo më shumë  Policia në Leposaviq zë mjete bujqësore duke u dërguar në Serbi

“Karotat më efektive se shkopinjtë, stimujt më të efektshëm se kërcënimet në diplomaci. Të dy këto kanë vendin e tyre, por mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të bënte më mirë të fokusohej në stimuj ekonomikë, politikë dhe të sigurisë, sesa në sanksione”, ka shtuar ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë.

Rruga Press

YouTube player