Investimet e huaja në Kosovë kalojnë 1 miliard euro në 2025, rritje prej 30%
Në vitin 2025, investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë arritën në 1.03 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 238.2 milion eurosh ose rreth 30% krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave nga Instituti GAP, Gjermania dhe Zvicra janë shtetet që kanë kontribuar më së shumti në këto investime, me 268.7 milion euro dhe 223.9 milion euro përkatësisht.
Shtetet e tjera kryesore investuese janë Shqipëria me 103.6 milion euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 92.5 milion euro dhe Austria me 59.8 milion euro.
Në total, Gjermania dhe Zvicra përbëjnë 48% të investimeve të huaja direkte në Kosovë gjatë vitit 2025.
Sektori që pranoi pjesën më të madhe të këtyre investimeve ishte ai i aktiviteteve të patundshmërisë, me 770 milion euro, që përbën 75% të gjithë investimeve.
Më pas vijnë aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 124.8 milion euro (12%), tregtia me shumicë dhe pakicë me 32.1 milion euro (3%), informimi dhe komunikimi me 26.2 milion euro (3%) dhe furnizimi me energji elektrike, gaz dhe avull me 22.1 milion euro (2%).
Ky trend tregon një rritje të ndjeshme të interesit të investitorëve të huaj për ekonominë e Kosovës dhe potencialin e sektorëve kyç për zhvillim.
Rruga Press

