Investigimi i ‘Daily Mail’/ Si banda me bazë në Shqipëri shet online pasaportat e sofistikuara britanike për 3500 Paund, ku e reklamonin punën
Media britanike “Daily Mail” ka zbuluar në një shkrim së fundmi se një bandë kriminale po shet online pasaporta të sofistikuara britanike për 3500 Paund, të cilat kanë çipa biometrikë të një “cilësie të lartë” për të bërë të mundur kalimin e kontrolleve kufitare të Mbretërisë së Bashkuar pa shkaktuar probleme.
Sipas medias britanike, baza e bandës kriminale është në Shqipëri dhe u shet klientëve nga e gjithë bota.
Ata “krenohen” shkruan britanikja me një shërbim ‘me super çmim dhe super të shpejtë’ që ofrojnë.
Bandat përdorin fotografi të Mbretëreshës dhe Pallatit të Buckinghamit në mediat sociale për të reklamuar pasaportat të cilat përfshijnë çipa biometrikë me ‘cilësi të lartë’ të nevojshme për të kaluar kontrollet kufitare të Mbretërisë së Bashkuar.
Falsifikimet përfshijnë filigranë, hologramë dhe veçori sigurie fluoreshente të dukshme vetëm nën dritat ultravjollcë gjatë kontrolleve në skanerët e aeroportit.
Një falsifikator i pasaportave përdor dhe videot në TikTok, që arrijnë më shumë se 17,000 shikime, për të reklamuar “biznesin”.
Një mesazh në shqip i shpërndarë në internet që ka gjetur Daily Mail thotë: ‘Të kontaktojë kushdo që është i interesuar për pasaporta evropiane të përshtatshme për të kaluar në Angli.’
Gazetari i Mail – duke u paraqitur si dikush që shpreson të marrë të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar – kontaktoi shefin e bandës ‘Nic’ përmes një videotelefonate nga shtëpia e tij në Shqipëri.
Shqiptari e lidhi gazetarin e Daily Mail me kushëririn e tij, i cili tha se tani jeton në Birmingham pasi mbërriti me një pasaportë false.
“Unë kisha të njëjtën pasaportë dhe tani jam në Mbreterine e Bashkuar”, tha ai, shkruan Daily Mail.
Sipas shqiptarit qe tani jeton ne Britani, kushëriri i tij në Shqipëri ishte një operator ‘serioz’ dhe kishte bërë pasaporta false që përmbanin çipa biometrikë për t’u siguruar që do të kalonin skanerët e sigurisë.
“Në mini-çip keni të gjitha informacionet, emrin, kombësinë, datën e lindjes, sa i gjatë jeni, mbiemrin”, shpjegoi ai.
Ai madje i dërgoi gazetarit dhe video të kushëririt të tij duke bërë pasaportat.
Një tjetër falsifikues ka reklamuar “punen” dhe nëpërmjet mesazheve në Telegram.
Postimet përfshijnë një video të një pasaporte të rreme në Mbretërinë e Bashkuar të një gruaje duke skanuar nëpërmjet një kompjuteri, me një mbishkrim: “Pasaporta angleze me çipa dhe të dhëna të cilësisë super të lartë që shfaqen në sistem”.
Banda i tha gazetarit anglez të shtirur si qytetar, se pasaportat e Mbretërisë së Bashkuar shiten 3,500 £, plus tarifat e dorëzimit.
Rruga Press