Lajme

Intervista – “Agroturizmi mund të jetë shpëtim i fshatit dhe bujqësisë”

Flet Fundim Gjepali, Agroturizëm “Gjepali” 

Agroturizmi shihet si shpresë për shpëtimin e fshatit dhe bujqësisë. Të paktën kështu e konsideron rritjen dhe zhvillimin e këtij sektori Fundim Gjepali nga agroturizëm “Gjepali”.

Ai nënvizon se interesi i të huajve për të njohur Shqipërinë dhe kulinarinë e saj mbetet i lartë dhe agroturizmet janë pjesa më përfaqësuese e këtij aspekti. Gjepali vlerëson se efektet e sipërmarrjeve të kësaj natyre në zonat ku janë ndërtuar janë të matshme.

Si ka qenë ecuria e agroturizmit në përgjithësi deri më tani në këndvështrimin tuaj?

Pati njëfarë shkundje me luftën që nisi në Ukrainë në 10 ditët e para të atij zhvillimi, por më pas shkoi drejt tendencës normale. Ka kureshtje dhe lëvizje. Është një trend gjithmonë në rritje.

Ne jemi një agroturizëm me aktivitet gjithëvjetor dhe kemi një hapësirë jo të vogël që vjen nga turistët e huaj. Numri i tyre është gjithmonë në rritje edhe si tendencë e rikthimit të turizmit kulturor, pas kufizimeve të dy viteve të pandemisë.

Ka interes nga blogger dhe media të huaja për ta njohur më shumë Shqipërinë. Së fundmi, për shembull, një grup francez na ka njoftuar se do të vijë të zhvillojë një dokumentar për kulinarinë e Shqipërisë së Mesme.

Efekti i këtyre nismave është i menjëhershëm dhe i matshëm dhe ne e kemi parë këtë në rastin e një dokumentari të ngjashëm me tregun rus dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik vjet.

Cila është kategoria e vizitorëve që vjen në agroturizmin tuaj dhe që keni vënë re?

Janë familjet që vizitojnë Shqipërinë. Nuk janë grupe të mëdha. Ka edhe çifte të rinjsh që vijnë çdo vit. Kanë kuriozitet të shohin stilin tonë të jetesës.

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën

Më pëlqen shumë që të rinjtë kanë filluar të duan fshatin edhe si vizitorë dhe duan ta jetojnë ashtu si është sot por edhe rastet e atyre të rinjve që rikthehen dhe investojnë në fshat.

Agroturizëm Gjepali

Ju thoni se ecuria është e mirë dhe ka kërkesë. Cilat janë tregjet më të interesuara?

Nisur nga platforma si Booking.com apo dhe faqja jonë e internetit mund të them se ka interes nga e gjithë bota – nga Kina, nga Europa Perëndimore dhe ajo Lindore, ndërkohë që ka rënë kërkesa nga vende si Rusia, Ukraina, Armenia për shkak të luftës dhe pasigurisë që ka dhënë në disa tregje. Këto vende ishin një klientelë e rëndësishme që tani nuk e kemi më.

Pati një tendencë për vendet e Lindjes, pra nga Emiratet për të vizituar Shqipërinë. A e shihni më këtë tendencë?

Pati vitin e kaluar, por këtë vit është ndërprerë, nuk kam vënë re kërkesë nga ky grup.

Në disa segmente ka rritje të kostove, çka nuk lë jashtë dhe agroturizmet. Si ju ka ndikuar kjo tek oferta juaj? A kanë ndryshuar çmimet? 

Kostot janë rritur shumë. Çmimet e ushqimeve janë rritur të gjitha, edhe ato më periferike në kuzhinë. Kostot totale janë rritur minimumi me 30%. Gjithsesi ne kemi vendosur të mos i ndryshojmë çmimet dhe jemi në fazën e verës që kemi prodhimet tona dhe do ta amortizojmë disi këtë efekt, por është e vështirë.

Ka dhe diçka që, pavarësisht kostove të rritura, duhet të mbash standardin, pasi dikur, kur njerëzit shkonin në fshat toleronin edhe ndonjë ngërç në shërbim, ndërsa tani kërkesa është tjetër. Klientët nuk janë më si më parë kur vizitojnë një agroturizëm, kanë pritshmëri të larta dhe ti s’mund t’i ulësh ato për shkak të kostos.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

A hasni vështirësi në gjetjen e punonjësve?

Ne jemi një agroturizëm që kemi ngritur atë realitetin tonë të vogël dhe shumica e atyre të cilët janë angazhuar, janë familjarë të mi dhe një pjesë e fshatit.

Kemi pasur probleme herë pas here, por nuk jemi përballur me vështirësi domethënëse, sikurse thuhet në treg. Kemi bërë një strategji biznesi të qartë që qëndron dhe përballon realitetin ku jemi, sepse ka ikur koha që mund të pretendojmë se mund të kesh punëtorë të kualifikuar me kosto të ulët.

Si e ka ndryshuar realitetin e zonës rrotull agroturizmi juaj sa i takon kontributit që ka?

E ka ndryshuar tërësisht zonën përreth. Ne po angazhohemi në disa dimensione, njëkohësisht duke nisur nga rritja e kultivarëve autoktone, tek produktet e shëndetshme vegjetariane, rritja e shpendëve.

Të gjitha këto hallka përfshijnë punësim dhe angazhim të banorëve të zonës.

Qumështin e freskët e siguroj nga ferma ngjitur pasi e kam më të leverdishme të angazhohet dikush tjetër dhe unë t’ia blej sesa të rrisim vetë lopë.

Ka një rritje të dukshme të numrit të agroturizmeve në vend, si e shihni efektin e tyre në tërësi? 

Agroturizmi ka sjellë një transformim të dukshëm të konceptit të fundjavës. Ka bërë që klientela të largohet nga qendra drejt fshatit. Është menduar se përqendrimi i tyre do të ishte më i madh në Shqipërinë e Mesme dhe realisht zemra e agroturizimit aty është.

Sigurisht këtu nuk përjashtoj modele suksesi që kanë bërë emër në rajone të tjera. Mendoj se agroturizmi ka shpëtuar fshatin shqiptar, madje edhe bujqësinë mund ta shpëtojë, nëse ka politika të mirëmenduara./monitor/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *