Lajme

Interneti nga linjat fikse, abonentët rriten me 13%

Numri i abonentëve të internetit me linja fikse u rrit me ritme të larta edhe në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), numri i përgjithshëm i abonentëve arriti në pothuajse 548 mijë, me rritje 12.7% krahasuar me një vit më parë.

Ritmet vjetore të rritjes janë përshpejtuar më tej nga niveli 11.5% i tremujorit të dytë. Tashmë, numri i kontratave të internetit fiks ka arritur sa pothuajse 20% e numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Megjithë rritjen e shpejtë, Shqipëria ende mbetet një vend me një depërtim relativisht të ulët krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, që në fund të vitit të kaluar ishte rreth 33%. Shqipëria ngelet ende mbrapa edhe në krahasim me shumicën e vendeve të rajonit.

Sipas statistikave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikaconeve (ITU), në fund të vitit të kaluar vendi me depërtimin më të lartë të internet broadband nëpërmjet linjave fikse në Ballkanin Perëndimor ishte Mali i Zi, me 28.5%, i ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 22.6% dhe Maqedonia e Veriut me 21.3%.

Lexo më shumë  Çanak: Cili i shkolluar serb ishte kundër rezolutës për Srebrenicën, le të na tregojë Vuçiqi

Tregu i internetit nga linjat fikse në vitet e fundit ka shfaqur konkurrencë në rritje, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku operatorët më të mëdhenj zotërojnë infrastrukturë të zgjeruar të ofrimit të shërbimit. Bazuar në raportimet e kryera në AKEP, sipërmarrësit e rrjeteve fikse vitin e kaluar investuan gjithsej rreth 2.8 miliardë lekë, që shkuan kryesisht për rritjen e aksesit të shërbimeve broadband.

Konkurrenca mes operatorëve po shprehet përmes ofrimit të shpejtësive më të larta të lidhjes kundrejt pagesave mujore më të ulëta, por edhe duke ofruar lidhje me teknologji që ofrojnë shërbim më cilësor, si fibra optike. Vitin e kaluar, pjesa e pajtimtarëve që përdorin shpejtësi maksimale lidhjeje më të lartë se 10 Mbps arriti në 67%, krahasuar me rreth 41% që ishte në vitin 2019. Një shtysë e rëndësishme po bëhet edhe përfshirja e shërbimit televiziv IPTV në paketat e lidhjes së internetit.

Konkurrenca në rritje duket edhe në rënien e pjesës së operatorit më të madh Albtelecom gjatë dekadës së fundit. Në fund të tremujorit të tretë, Albtelecom zotëronte 21.8% të totalit të abonentëve, rreth 5.3 pikë përqindje më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lexo më shumë  Gërvalla takohet me kongresistin Keating, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe ShBA-ve

Konkurrenti kryesor i Albtelecom në tregun e internetit po bëhet gjithnjë e më shumë Vodafone, që tashmë raporton më shumë se 108 mijë abonentë. Vodafone hyri në tregun e shërbimeve fikse në fillim të vitit 2020, me finalizimin e blerjes së kompanisë së dytë më të madhe në treg, Abcom. Qysh atëherë, Vodafone nisi një zgjerim me ritme të shpejta në këtë segment dhe tashmë zotëron reth19.7% të tregut. Operatori i tretë më i madh në treg është Tring (ASC) që në fund të muajit qershor kishte rreth 60 mijë abonentë ose rreth 11% të tregut. Vijon Abissnet me 7.7%, i ndjekur nga Digicom me 4.4% dhe Nisatel me 3.5%. Sipas vlerësimeve të AKEP, operatorët më të vegjël, të marrë së bashku, zotërojnë të gjithë rreth 32% të përdoruesve totalë të tregut./MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *