Inteligjenca artificiale bën bashkë copëzat e afreskeve
Duken sikur robotë që po vallëzojnë, mirëpo ata kanë një detyrë shumë të rëndësishme.
Teksa skanojnë copëzat e afreskut, robotët janë duke restauruar historinë.
Në Mestre, në periferi të Venecias, studiuesit janë bërë bashkë në projektin e quajtur “Riparo”, që synon të restaurojë afresket e zbuluara në Pompein e shkatërruar nga vullkani.
Ekipi planifikon që të përdorë sistemin robotik me inteligjencë artificiale që në formë të pavarur ta procesojë dhe më pas fizikisht ta restaurojë afreskun dhe artefakte të tjera. Këtë synojnë ta bëjnë shumë më shpejt sesa dora e njeriut.
Marcello Pelillo, koordinator i projektit dhe profesor i shkencave kompjuterike, thotë se qëllimi është të restaurohen afreske të mëdha.
“Një prej qëllimeve të këtij projekti është që të restaurojmë afresket e mëdha. Dua të them se është e paefektshme për sistemin tonë që të merret me afresket e vogla. Nëse kemi një që është i thyer dhe përmban qindra copëza, atë mund ta bashkojmë në formë manuale dhe nuk do të kishim nevojë për robotin, por në këtë projekt duam të përqendrohemi në afreske të cilat dora e njeriut nuk mund t’i bashkojë”, ka thënë ai.
Fragmentet që po përdoren janë duke u ruajtur në Parkun Arkeologjik të Pompeit.
Janë copëza të afreskeve të Schola Armaturarum, e shkatërruar gjatë shembjes së objektit në vitin 2010 dhe një tjetër që po ruhej në muret e Casti Amanti, e shkatërruar nga tërmeti i vitit 79 para Krishtit dhe bombardimit të Luftës së Dytë Botërore.
Pjesëmarrësja në projekt, Ariana Travigli, thotë se duan ta zbulojnë krejt pamjen e afreskeve.
“Copat janë më të mëdha, prandaj do ta kemi më të lehtë të kuptojmë se si bëhen bashkë ato. Gjëja tjetër me rëndësi është se e dimë se si do të duket fotografia finale. Është sikur kutia e enigmës që përmban fotografinë dhe ju duhet t’i bëni bashkë copëzat. Afresku i dytë do të jetë më i vështirë sepse nuk e kemi kutinë dhe nuk dimë si dukej në të kaluarën, prandaj do të tentojmë ta gjejmë se si dukej në atë periudhë”.
Para se të fillojë restaurimi, studiuesit do t’ia mundësojnë robotit që të skenojë secilën copë dhe pastaj ta analizojë teksturën në tri dimensione. Ata do të përdorin edhe teknologjinë hiperspektrale për të parë atë që syri i njeriut nuk mund ta shohë në këto copëza.
“Do ta përdorim këtë teknologji për të vërejtur gjurmët e pigmenteve që nuk shihen me sy. Kjo do të na mundësojmë që të gjejmë copën e duhur që kapet me tjetrën, sepse problemi ynë më i madh tani është se copëzat nuk janë të ruajtura mirë dhe e dimë se do të kemi copëza në të cilat vizatimi nuk mund të shihet mirë. Prandaj kjo teknologji do të na gjejë ngjyrën që ka mundur të fshihet nga temperatura, shiu ose faktorë të tjerë”.
Projekti ka nisur në shtatorin e këtij viti, por do të zgjasë katër vjet.
Mijëra copëza do të bëhen bashkë me ndihmën e robotëve, të cilët fillimisht do t’i bëjnë pamjet tredimensionale të afreskeve, para se t’i vendosin copëzat në vendin e duhur.
Grupe të ndryshme të arkeologëve dhe studiuesve janë duke punuar në softuerin dhe harverin e robotit.
Roboti më i sofistikuar ndonjëherë do të vendoset në Pompei për 18 muaj, para se t’i jepet detyra për restaurimin e krejt të kaluarës së qytetit që u shkatërrua nga vullkani i Vezuvit.
Pjesa më e madhe e qytetit nuk është hulumtuar. Mbetet një prej atraksioneve më të mëdha turistike në Itali.
Rruga Press