Lajme

Institucionet bëjnë sy qorr ndaj gjuetisë së paligjshme që po shkreton koralet nënujore

Tregtimi i daterit, moluskut gurëshpues, është i ndaluar në Shqipëri për shkak të dëmit që i shkakton nxjerrja e tij jetës detare. Megjithatë, restorantet e reklamojnë në instagram dhe peshkatërët e shesin lirisht, ndërsa autoritetet në Vlorë thonë se nuk kanë identifikuar asnjë rast të tregtisë së tij në tre vitet e fundit.

Një pjatë dateri ‘saute’  në vaj ulliri, majdanoz dhe limon, kushton mesatarisht në 1500 lekë në restorantet e Vlorës dhe një kilogram shitet i gatuar deri në 6 mijë lekë.

Për klientin që ia mban xhepi dhe që ndonjëherë udhëton edhe nga Italia për t’i provuar, ushqimi duhet të jetë vërtetë i veçantë, por për aktivistët mjedisorë delikatesa kulinare është provë e krimit mjedisor që po shkatërron jetën nënujore në rivierën shqiptare.

“Është katrahurë, katastrofë, shkretëtirë”, thotë Simo Ribaj, kryetar i shoqatës ‘Social Education & Environment Protection’, SEEP Albania, e cila prej vitesh përpiqet të ndërgjegjësoje qytetarët kundër gjuetisë ndaj moluskut shkëmbngrënës.

Ribaj thotë se një pjesë e mirë e shkëmbijve nënujorë në Karaburun janë shkatërruar tashmë. Ai thekson se shkatërrimi tani po shkon drejt shpellës së “Haxhi Alisë”.

Gjuetia e daterit është e ndaluar me ligj. Dateri është një specie e rrezikuar, e listuar në Librin e Kuq të miratuar nga Ministria e Mjedisit që nga viti 1996.  Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu disa konventa ndërkombëtare që mbrojnë gurëshpuesin – siç emërtohet në legjislacion dateri, si Konventa e Barcelonës, Konventa e Bernës dhe CITES. Qeveria gjithashtu ka miratuar një ligj të posaçëm të mbrojtjes së daterit në vitin 2012.

Megjithë legjilacionin në fuqi dateri shitet lirisht në restorante dhe reklamohet po aq lirisht në faqet e tyre në rrjetet sociale, ndërkohë institucione si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia e Shtetit që duhet të penalizojnë këtë tregti, nuk kanë ndëshkuar dot asnjë rast.

“Nuk janë konstatuar raste të tregtimit të paligjshëm të daterit në restorante dhe njësi shërbimi,” tha Ani Binaj, drejtor rajonal i AKU-së Vlorë, duke iu referuar periudhës nga janari 2019 deri në janar 2022.

Shkatërrimi tregtohet lirisht

Imazhet e pjatave me molusqe gurëshpues të reklamuara nga restorantet në ‘Instagram’ dhe pamjet e shkëmbinjve nënujorë – të filmuar nga zhytësit e SEEP dhe nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, dëshmojnë të kundërtën e asaj që deklarojnë institucionet.

“Nuk ka qënë asnjëherë e vështirë të gjesh subjekte që tregtojnë dateri, pasi që kur kam ardhur në Shqipëri për të hapur restorantin në 2016-tën e kam pasur në menu”, thotë Erjoni, shef guzhine në një restorant në Vlorë.

Konsumatorët e daterit e minimizojnë ndikimin që gjuetia e tij ka në mjedis. Hana Gjikolli , një studente Shqiptare në Itali, e cila po darkonte në Shkurt në një restorant, tha se daterit janë të preferuarit e saj dhe në Vlorë i gjen fare lehtësisht.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

“Dateri ka një shije shumë të mirë, ato kanë kripë vetë sepse rriten në gurë e janë shumë të shëndetshëm dhe të shijshëm”, theksoi ajo.

E reja pranoi se e dinte për dëmtimet në ekosistem, por pretendoi se ato ishin më të mëdha nga peshkimi me dinamit se sa nga shkatërrimi i koraleve.

Një peshkatar që foli në kushte të anonimatit tha se nxjerrja vijonte pa ndonjë pengesë.

“Duhet vetëm një çekan dhe një skrapello, hyhet në thellësi deri një metër dhe cahet guri”shpjegoi ai.

Peshkatari tha se ka raste në zona si Karaburuni, ku për të çarë gurin përdoren edhe sasi të vogla eskplozivi. Guri i thyer pastaj nxirret në sipërfaqe dhe aty merren vetëm molusqet.

I pyetur se përse nuk e ndalonte shitjen e moluskut Erjoni thotë se ai po u bindet ligjeve të tregut dhe se ka frikë se mund të humbë klientët me para.

“Nuk është një zgjedhje e jona, është orientim i tregut. Nëse t’i nuk e ofron thjesht humbet një klientelë e cila është mbi mesataren, pasi dateri është një kapriço të pasurish,” tha ai.

Por kjo ‘kapriço’ kushton më shtrejt se sa serviret në pjatë. Mjedisorët thonë se nxjerrja e tij nga guri nuk rrezikon vetëm moluskun – sasia e të cilit është prej vitesh në rënie të vazhdueshme, por të gjithë ekosistemin në të cilin ai jeton.

Simo Ribaj i tha BIRN se koralet në të cilat gjendet dateri janë po “nëna” e një pjese të jetës nënujore. Nëse nuk janë të dëmtuara mbi shkëmbinj gjenden alga – “një lloj pylli” siç e përshkruan Ribaj. Ai thotë se shkëmbinjtë ndikojnë në jetën e peshqve dhe shkatërrimi i tyre dëmton të gjithë ekosistemin.

“Në momentin që thyhet shkëmbi i gjithë ai habitat shkatërrohet”, tha Ribaj me keqardhje.

Edhe zhytës të tjerë thonë se dëmet në zonën e rivierës janë të mëdha. “E gjithë koraca koralore është dëmtuar përgjatë zonës së Karaburunit, Sazanit dhe Porto Palermos,” tha Dritan Nasto, i apasionuar pas zhytjes. “Në shkëmbinj duken qartë gjurmët e masakrës mjedisore që i është berë nënujit,” shtoi ai.

Ribaj, i cili kryen herë pas here zhytje dhe ka dokumentuar shkatërrimin e shkëmbijëve nënujorë nga gjuetia për dateri, shprehet i shokuar që pronarët e restoranteve nuk janë ndërgjegjsuar ende për dëmin që tregtimi i këtij molusku sjell.

“Turistët nuk vijnë për një pjatë dateri. Ata vijnë për të parë bregdetin dhe për të parë bukuritë nënujore, por çfarë do të shohin!?”, pyet ai duke nënkuptuar koralet e shkërmoqura me forcë ku nuk rritet më asgjë.

Lexo më shumë  Arsyeja e vizitës së presidentit kinez në Beograd është shumë më e thellë: Xi Jinping do ta ftojë Serbinë të anëtarësohet në BRICS

Institucionet bëjnë një sy qorr

Megjithëse menutë me dateri dhe tregtimi i tij në bidona vijon lirshëm në Vlorë apo qytete të tjera bregdetare, Drejtoria e Policisë së Shtetit në Vlorë dhe AKU – dy autoritetet që duhet të monitorojnë dhe penalizojnë shkeljen e ligjit, thonë se nuk kanë zbuluar asnjë rast.

“Gjatë  periudhës 2019-2022, nuk janë konstatuar raste të peshkimit të paligjshëm të daterit”, tha policia e Vlorës në një përgjigje me shkrim.

Njëlloj drejtues të AKU mohuan të kishte pasur raste. Madje sipas Ani Binaj, drejtor i AKU-së në Vlorë edhe në raste të denoncimeve që ata kanë marrë kanë rezultuar të rreme. Binaj tha se pas një denoncimi për një restorant vitin e kaluar, ata kryen inspektim, por nuk gjetën dateri.

“Procedura inspektuese është dokumentuar në aktet përkatëse. Nga inspektimi i kryer rezultoi se subjekti ndaj të cilit ishte drejtuar denoncimi nuk tregtonte, shërbente “dater” si dhe ishte zbatues i kërkesave ligjore në fuqi”, tha ai.

Nga ana e saj Administrata e Zonave të Mbrojtura, i tha BIRN në një përgjigje të kërkesës për informacion se ata nuk kishin funksion ndjekjen “në terren të aktiviteteve të paligjshme mbi gjuetinë e daterit”. Sipas AdZM-së kjo ishte një nga format më të vështira të gjuetisë së paligjshme për t’u gjurmuar, pasi zhvillohet nën ujë dhe ata nuk kishin konstatuar raste.

Por AdZM pranoi se kjo gjueti vijonte. Administrata e Zonave të Mbrojtura tha se bashkë me organizatën SEEP, kishin kryer studime prej të cilave janë “konstatuar dëmtime të zonave shkëmbore si rezultat i gjuetisë së daterit”.  Sipas AdZM janë konstatuar 16 zona të ndryshme ku shkëmbinjtë nënujorë ishin dëmtuar si pasojë e nxjerrjes së daterit.

I pyetur nga BIRN mbi reagimin e institucioneve, Ribaj tha se ai nuk kishte në plan të merrej me ndërgjegjësimin e tyre. “Institucionet duhet të zbatojnë ligjin”, tha ai.

Sipas drejtuesit të SEEP tregtia e moluskut bëhej aq hapur sa edhe denoncimet nuk kishin ndonjë vlerë.

Ai theksoi se ka parë restorante që i tregtonin me faturë tatimore. Megjithatë, punonjës të restoranteve dhe peshkatarë i thanë BIRN se ruanin një fare diskrecioni. Ata treguan se dateri ruhej në enë me ujë dhe ndonjëherë mbahej në akull jashtë kuzhinës që të mos binte në sy.

Mes tyre, peshkatarët dhe restorantet apo blerësit kanë krijuar edhe kode. Dateri quhet “midhje kafe” . Megjithatë, këto kode nuk e fshehin dot shkatërrimin e shkëmbinjve që po e shkreton jetën nënujore në bregdetin shqiptar./reporter/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *