INSTAT: Ngadalësohet rritja e eksporteve në vlerë, bie në sasi! Fasoni: Po shesim më pak pasi jemi në kolaps për punonjës
Eksportet kanë vijuar rritjen edhe përgjatë muajit qershor, të ndikuara nga shtrenjtimi i lëndëve të para dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por ritmet e zgjerimit janë ngadalësuar, duke reflektuar si frenimin e kërkesës globale pas çmimeve të larta ashtu dhe mungesën e fuqisë punëtore nga industritë vendase.
Sipas të dhënave të INSTAT, në qershor eksportet ishin 46 miliardë lekë, me një rritje prej 32.2% me bazë vjetore. Në maj rritja ishte 37%, ndërsa në prill 47%, pasi në shkurt dhe në mars kishte arriti zgjerim rekord prej mbi 50%.
Për 6 mujorin, eksportet arritën në rekordin e 253 miliardë lekëve, me një zgjerim prej 43.3% me bazë vjetore, nga 46% që kishte qenë rritja për 5 mujorin.
Ngadalësimi në qershor erdhi nga mineralet, lëndët djegëse dhe energjia, ndërsa rritjen më të fortë vijuan ta shënonin materialet e ndërtimit dhe metalet (që ndikuan në 34% të zgjerimit total).
Ndonëse në vlerë janë rritur, në sasi eksportet rezultojnë me një rënie prej 2.7%, e ndikuar nga tkurrja e “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, me 2.7%.
Fasoni nuk përballon dot porositë për shkak të mungesës së punonjësve
Kriza e fuqisë punëtore po jep efektet e saj dhe në ecurinë e eksporteve. Sipas INSTAT, në vlerë, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 22% me bazë vjetore për 6 mujorin.
Sektori e ka marrë veten pasi në dy vitet e pandemisë u godit më shumë nga rënia e kërkesës për shkak të karantinave të vazhdueshme. Por, eksportuesit ngrenë shqetësimin se ata nuk arrijnë të përballojnë rritjen e kërkesës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
“Eksportet janë rritur në vlerë (shkak është bërë shtrenjtimi i kostove të lëndës së parë) por ka një ulje në sasi/copë pasi jemi ne kolaps për punonjës dhe nuk arrijmë të plotësojmë urdhrat e punës gjendje dhe ato që po vijnë”, thotë Edvin Prençe, Kryetari i Proeksport Albania.
Materialet e ndërtimit, rritje me 80%
Materialet ndërtimit dhe metalet kanë pësuar rritje të ndjeshme të eksporteve me rreth 70% në 6-mujor, ndonëse në qershor edhe ky grup u ngadalësua. Vlera e tyre arriti në 59 miliardë lekë në janar-qershor 202. Përfaqësues të sektorit bënë më dije se rritje po udhëhiqet nga çmimet e larta po edhe nga kërkesa më e lartë, për hekur dhe çimento sidomos në Kosovë. Ky është grupi i dytë më i madh i eksportuar në vend, me 23% të totalit.
Në sasi, ky grup për 6 mujorin u rrit me vetëm 8.1%, sipas të dhënave të INSTAT.
Ngadalësohen mineralet dhe lëndët djegëse
“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” u rritën me 62% për 6 mujorin, por ritmet e zgjerimit u ngadalësuan ndjeshëm në qershor (+16%), teksa rritja e çmimeve po ndikon në frenimin e kërkesës.
Ndikim negativ ka dhënë dhe rënie e eksporteve të energjisë elektrike për shkak të thatësirës.
Ushqimet dhe pijet rritje më të ulet nga grupet e tjera
Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 18.5% për 5 mujorin, nga 20% në 5-mujor. Kjo ishte rritja më e ulët në krahasim me grupet e tjera të eksporteve. Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera. Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.
Makineritë e pajisjet në rritje pas shtimit të numrit të fabrikave
Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke u zgjerua me 42% për qershorin dhe 35.5% për 6 mujorin. Ky grup është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet.
Rritja e importeve me ritme më të larta sesa eksportet ka vijuar të thellojë deficitin tregtar. INSTAT bën të ditur se Deficiti tregtar i muajit qershor është 35 mld lekë, duke u rritur me 8,6 %, krahasuar me Qershor 2021 dhe me 1,0 %, në krahasim me Maj 2022.
Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 253 mld lekë, duke u rritur me 43,3 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 446 mld lekë, duke u rritur me 25,9 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 193 mld lekë, duke u rritur me 8,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Gjatë muajit Qershor 2022, sipas INSTAT, në rritjen e eksporteve prej 32,2 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +11,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +6,9 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 4,2 pikë përqindje.
Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë rritur me 43,3 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +13,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,2 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,9 pikë përqindje.
Gjatë muajit Qershor 2022, në rritjen e importeve prej 20,8 %, krahasuar me Qershor 2021, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,8 pikë përqindje, “ Ushqime, pije, duhan” me +3,3 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,5 pikë përqindje .
Si gjashtëmujorë, importet janë rritur me 25,9 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2021. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,8 pikë përqindje dhe “ Ushqime, pije, duhan” me +3,9 pikë përqindje
Italia, me rritjen më të madhe të importeve dhe eksporteve, bien me Rusinë
Në muajin Qershor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2021 janë: Itali (31,9 %), Greqi (76,5 % ) dhe Spanjë (54,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova ( 1,6 %) dhe Maqedonia (1,2 %) .
Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (53,7 %), Kosova (12,1 %) dhe Gjermania (94,5 %) . Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (51,6 %) .
Në muajin Qershor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2021 janë: Italia (12,6 %), Kina (5,9 %) dhe Greqia (15,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Turqia (3,8 %) dhe Gjermania (9,8 %).
Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (13,9 %), Turqia (40,6 %) dhe Kina (7,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (3,0 %), Rusia (19,3 %), dhe Zvicra (19,0 %).
Rruga Press