“Inflacioni gjatë nëntorit u rrit me 3.3%”- Eurostat publikon matjet: Ushqimet dhe shërbimet e transportit kanë patur rritjen më të madhe
Sipas matjeve me metodën e Eurostat Niveli i Përgjithshëm i Çmimeve (Inflacioni) është rritur gjatë muajit nëntor 2021 me 3,3%. Rezultati është 0,2% më i lartë se matjet kombëtare.
INSTAT njoftoi sot se ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin nëntor 2021 është 3,3%.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,6% vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 5,0%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,2%, “Komunikimi” me 3,1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1%, “Shëndeti” me 1,0%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,8% secili dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,8%.
Në muajin Nëntor 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,8%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,2%, pasuar nga “Transporti me 0,8%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,7%, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2%, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1% secili.
Më gjithë rritjen Shqipëria u renditet ndër venet me ritmet më të ulta të rritjes së çmimeve në Europë. Lituania ishte vendi me rritjen më të madhe të çmimeve me 9,2 % në nëntor dhe më p[as Estonia me mbi 8.5 për qind. në të kundërt Zvicra (1.5%), Malta (2.3%), Portugalia (2.9%) dhe Shqipëria (3.3%) ishin vendet më ritmet më të ulta të rritjes së çmimeve.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”./Monitor
Rruga Press