Bota

Inflacioni arrin rekordin 8.9% tek 19 vende që përdorin euron

 Inflacioni në vendet evropiane që përdorin monedhën euro arriti një tjetër rekord në korrik, i shtyrë nga çmimet më të larta të energjisë, të nxitura pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ekonomia ende me rritje të dobët, njofton Associated Press.

Inflacioni vjetor në 19 vendet e Eurozonës shkoi në 8.9% në korrik, një rritje nga 8.6% që ishte në qershor, sipas shifrave të fundit të publikuara të premten nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian. Inflacioni ka ecur drejt nivelit më të lartë që nga viti 1997, kur filloi mbajtja e të dhënave për euron.

Çmimet e energjisë u rritën me 39.7%, pak më ulët se muaji i kaluar, ndërsa çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 9.8%, më shpejt se rritja e shënuar muajin e kaluar.

Ekonomia e Eurozonës, ndërkohë, u rrit nga prilli në qershor, duke u zgjeruar me 0.7% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 4% në të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Kjo është në kontrast me Shtetet e Bashkuara, ekonomia e të cilës është tkurrur për dy tremujorë radhazi, duke rritur frikën e një recesioni me inflacionin në nivelet më të larta të 40 viteve. Por tregu i punës është edhe më i fortë se përpara pandemisë COVID-19, dhe shumica e ekonomistëve, përfshirë kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Poëell, kanë thënë se nuk mendojnë se ekonomia është në recesion.

Lexo më shumë  Zvicra nuk e fton Rusinë në bisedimet e paqes për Ukrainën

Megjithatë, shumë njerëz presin gjithnjë e më shumë që një rënie ekonomike në SHBA të fillojë më vonë gjatë këtij viti ose vitin e ardhshëm, njësoj si në Evropë.

Afërsia e Evropës me luftën në Ukrainë dhe mbështetja e saj tek energjia ruse do të thotë se ajo është në rrezik të recesionit nëse Moska i frenon rrjedhat e gazit natyror që furnizojnë fabrikat, prodhojnë energji elektrike dhe ngrohin shtëpitë në dimër.

Më shumë reduktime gazi këtë javë përmes një gazsjellësi të madh për në Gjermani, Nord Stream 1, kanë rritur frikën se Kremlini mund të ndërpresë plotësisht furnizimet. Kjo do të detyronte racionimin për industritë që kërkojnë energji intensive dhe do të rriste nivelet tashmë rekord të inflacionit të nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë, duke kërcënuar të zhysë bllokun 27-vendesh në recesion.

Ndërsa qeveritë e Bashkimit Evropian miratuan një masë këtë javë për të reduktuar përdorimin e gazit me 15% dhe kanë miratuar shkurtimet e taksave dhe subvencionet për të lehtësuar krizën e kostos së jetesës, Evropa është në mëshirën e Rusisë dhe motit.

Një dimër i ftohtë, kur kërkesa për gaz natyror rritet, mund të ulë nivelet e magazinimit që qeveritë tani po përpiqen t’i mbushin, por që janë bërë pafundësisht më të vështira nga reduktimet prej Rusisë.

Lexo më shumë  I ndodhë sërish Aleksandar Vulinit, filmohet në Kuvendin e Serbisë duke “folur dhe grindur me veten”

“Me furnizimin me gaz të rajonit, tani të reduktuar dhe inflacionin që do të mbetet i lartë për ca kohë, zona euro ka të ngjarë të bjerë në recesion,” tha Michael Tran, një ndihmës ekonomist në Capital Economics, në një analizë këtë javë.

Parashikimet e ekonomistëve ndryshojnë për ndikimin në prodhimin ekonomik, veçanërisht nga vendi në vend, por banka ING thotë se goditja nga një ndërprerje e plotë e gazit rus në 19 vendet që kanë euron do të ishte 1% deri në 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në afat të shkurtër.

“Duke pasur parasysh se ne tashmë presim një recesion të butë, kjo mund të mjaftonte për të arritur te një recesion i plotë,” thanë analistët e ING në një shënim këtë javë.

Për të luftuar inflacionin në rritje, Banka Qendrore Evropiane rriti normat e interesit javën e kaluar për herë të parë në 11 vjet me një gjysmë pikë më shumë se sa pritej. Pritet të pasohet nga një tjetër rritje në shtator.

Banka Qendrore Europiane kishte lënë pas bankat e tjera qendrore si Fed dhe Banka e Anglisë në shtrentimin e kredisë, nga frika e ndikimit të madh të çmimeve të larta të energjisë të lidhura me luftën.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *