Incident alarmues: Rusia ndërhyn në sistemin GPS, rrezikon avionin e Presidentes së KE-së, Von der Leyen bën ulje të detyruar në Bullgari
Një avion që transportonte Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është detyruar të ulet në aeroportin e Plovdivit në Bullgari duke përdorur harta letre, pasi sistemet elektronike të navigimit dështuan për shkak të ndërhyrjes ruse në GPS. Lajmi u raportua nga Financial Times, transmeton Rruga Press
Sipas burimeve zyrtare, ndërhyrja ndodhi teksa avioni afrohej drejt Plovdivit, kur e gjithë zona e aeroportit mbeti pa sinjal GPS. Pas më shumë se një ore duke fluturuar mbi aeroport, piloti vendosi të realizonte uljen manualisht, duke përdorur vetëm harta tradicionale të shtypura.
“E gjithë zona e aeroportit mbeti pa GPS. Ishte një ndërhyrje e pamohueshme,” tha një nga zyrtarët për FT.
Autoriteti i kontrollit të trafikut ajror bullgar e ka konfirmuar incidentin, duke nënvizuar se që nga shkurti 2022 është regjistruar një rritje e konsiderueshme e rasteve të bllokimit dhe manipulimit të sinjaleve GPS, të cilat shkaktojnë probleme serioze në funksionimin e sistemeve të avionëve dhe infrastrukturës tokësore.
Von der Leyen po udhëtonte nga Varshava drejt Plovdivit për t’u takuar me kryeministrin bullgar Rosen Zhelyazkov dhe për të vizituar një fabrikë municionesh. Pas vizitës, ajo u largua nga Bullgaria pa incidente me të njëjtin avion.
Ky rast vjen në një kohë kur disa vende evropiane, përfshirë Estoninë, kanë deklaruar se ndërhyrjet ruse në GPS përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar. Vetëm së fundmi, 13 vende të BE-së i kanë kërkuar Komisionit Evropian të ndërmarrë masa të forta kundër këtyre ndërhyrjeve në sistemet e navigimit satelitor në të gjithë hapësirën evropiane.
Rruga Press

