“Impianti në kolaudim”, Komisioni Hetimor zbarkon në incineratorin e Fierit: Nuk përpunohen mbetje, 28 mln euro beton
Anëtarët e Komisionit Hetimor për incineratorët zbarkuan pasditen e kësaj të marte, 8 shkurt, në incineratorin e Fierit për të parë nga afër situatën në terren.
Deputetët e opozitës denoncuan me forcë se nuk ka nisur ende përpunimi i mbetjeve dhe pse kompania ka marrë 28 mln euro për investimin.
Çupi: Përpunim mbetjesh e shikojmë të gjithë që nuk ka këtu. Nëse 28 mln euro janë vetëm për betonin dhe ngrehinat është abuzim me buxhetin e shtetit dhe ky është thelbi i Komisionit Hetimor. Nëse kontrata ka pasur afat 2 vjeçar dhe sot jemi në 2022 dhe punimet nuk kanë filluar, ky është ai objekt për të cilin ne kemi kërkuar komisionin hetimor. Janë 28 mln euro që koncesionari i ka marrë dhe sot nuk ka në funksion asgjë.
Dhurata Çupi tha se qeveria ka gënjyer qytetarët.
Çupi: Ju kanë gënjyer duke u thënë që këtu punohet dhe kanë ardhur me shpresën që po nxjerin blof një grup deputetësh. Ne jemi këtu për tu thënë qytetarëve se është abuzuar. Për të vënë ngjyra dhe makineri…janë 28 mln euro. Tani që jemi këtu u jap akoma më të drejtë kolegëve socialistë që na sollën këtu. Shteti funksionon me letra. Këtu nuk përpunohet, kontrata është lidhur në 2016 dhe duhet të fillonte funksionimin impanti në 2019.
Të njëjtën gjë pohoi dhe deputeti tjetër i PD-së.
Gështenja: Sa ka dashur kjo godinë gjykohet në letra. Objekti nuk është në punë ndërkohë që paratë për investimin janë marrë.
Pretendimet se nuk ka përpunim mbetjesh i faktoi dhe vetë drejtori i zbatimit në incineratorin e Fierit duke deklaruar se impianti është në proces kolaudimi.
“Mbetjet menaxhohen në landfillin e qarkut Fier, këtu ku jemi ne. Pjesa e impiantit është në fazë kolaudimi. Këtu vetëm regjistrojmë mbetje. Impianti përpunon 220-250 ton mbetje urbane në ditë, e dokumentuar. Për momentin pjesa e impiantit të përpunimit dhe prodhimit të energjisë është në fazën e vet të kolaudimit. Mbetjet urbane aktualisht po depozitohen te pjesa e landfillit deri në momentin e koaludimit”.
Rruga Press