Kanti sot do ishte syçelë ndaj dezinformatës
Kant: pyet më shumë?
Është magjepsëse që dezinformatat flirtojnë shpesh me idenë e të menduarit kritik më vete. Motoja mbi derdhjen e dezinformatës është: pyet më shumë. Gjithashtu, mendoni për algoritmin e YouTube-it, i cili rekomandon shikimin e videove, përfshirë edhe ato që transmetojnë dezinformatë dhe keqinformim, ndërkohë që i lë shikuesit të besojnë edhe më tej se janë duke i përzgjedhur vetë videot e tyre, në mënyrë të pavarur. Madje duke bërë kërkime.
Rrënjët e idesë se dikush duhet të hetojë vetë të vërtetën, i pavarur nga ndonjë autoritet i jashtëm, shkojnë pas te filozofi gjerman Immanuel Kant. Autonomia është qendrore në filozofinë e tij. Megjithatë, nëse Kanti do të ishte gjallë sot, ai me siguri do të ishte syçelë ndaj dezinformimit.
Sipas tij, aftësia për ta mirëvendosur të vërtetën, ose nocionet e përbashkëta që e mbështesin në themel atë, është thelbësore për paqen e qëndrueshme. Në fjalë të tjera, dezinformimi paraqet një rrezik të madh; humbjet mund të jenë të mëdha.
Kanti gjithashtu dënoi absolutisht gënjeshtrën.
Si arriti ai në këto përfundime?
Ç’mund të di? Ç’duhet të bëj? Ç’mund të shpresoj?
Kanti shprehu qëndrimin se të gjitha doktrinat filozofike, përfishrë të tijën, iu përgjigjën tri pyetjeve:
1) Ç’mund të di? 2) Ç’duhet të bëj? 3) Ç’duhet të shpresoj? Përgjigjet e Kantit kombinuan shkencën empirike moderne (për shembull të Njutonit) dhe një besim të caktuar në racionalitetin përtej përvojës, duke e bërë atë figurën kryesore të filozofisë moderne. Madhështia e tij gjendet tek aftësia e tij për të gjetur një përgjigje që nga njëra anë ishte sistematike, racionale dhe integrale, e prapsëprap, nga ana tjetër la akoma vend për një gradë të caktuar të misterit. Në të njëjtën kohë, konkluzionet e tij kanë pasoja me shtrirje të gjerë; që nga metafizika, tek etika, te politika, madje edhe te dezinformimi.
Nëse duam ta kuptojmë Kantin, është e rëndësishme të theksohet se Kanti iu përgjigj Humeit dhe skepticizmit të tij. Kjo e përcaktoi në masë të madhe atë se si Kanti iu qasë së vërtetës dhe rrjedhimisht, gjithçkaje tjetër. Me pak fjalë, Humei u impresionua nga zbulimet shkencore të Kopernikut dhe Njutonit. Prandaj, ai argumentoi se ne duhet ta ushtrojmë filozofinë duke ndjekur metodat e tyre empirike. Në të njëjtën kohë, Humei besonte se Iluminizmi kishte vendosur shumë vlerë te Ratio. Në vend të kësaj, në një mënyrë të krahasueshme ndonjëherë me budizmin, ne duhet të përqëndrohemi në atë që perceptojmë, përfshirë emocionet tona.
Megjithëse Kanti e vlerësonte veprën e Humeit, ai me xhentilesë nuk i pranoi përfundimet e tij. Në vend të kësaj, Kanti iu kundërvu atyre në veprën e tij që është ndoshta më e famshmja; Kritika e Arsyes së Kulluar. Ky libër argumenton se “njohja sintetike a priori” është e mundur; është një arsye e caktuar që i paraprin përvojës. Për shembull, dikush mund të thotë se “një katror ka katër faqe” pa parë kurrë ndonjëherë një katror. Thënë më vrazhdë, Kanti vuri në pah se të gjithë ne i japim formë përvojës tonë të gjërave përmes kullorës së mendjes tonë.
Kanti, ndoshta jo modestisht, i përqasi idetë e tij me ato të Revolucionit Kopernikan, në kuptimin se objektet e shqisave lakohen domosdoshmërisht te format tona hapësinore dhe kohore të të kuptuarit. Kjo do të thotë se ne mund të kemi njohje a priori të objekteve të shqisave.
Iluminizëm=Mendim Kritik= Liri
Kanti donte të gjente një themel filozofik për autonominë njerëzore. Sidoqoftë, paradoksalisht, ai e kuptoi autonominë në një mënyrë fort të (për)kufizuar. Për Kantin, autonomi nuk do të thotë diçka si ‘bëj ç’të duash’, por është më shumë në linjën e të qenit autoriteti i veprimeve të vetvetes. Për shkak të pikëpamjes së tij se të menduarit tonë i jep formë asaj se si e përvojojmë botën, ai zhvilloi metodën e tij të “filozofisë kritike” për t’i vënë themel mbështetës lirisë. Për tu bërë të lirë ne duhet t’i kuptojmë të dy, racionalitetin dhe të menduarit tonë. Dhe të përshtatemi në akordancë me to.
Filozofia iluministe e Kantit është e njohur si ‘të menduarit kritik’. Kanti, në esenë e tij të famshme Ç’është Iluminizmi? , e definon atë si “çlirimi i llojit njerëzor nga papjekuria e vetëshkaktuar; papjekuria është paaftësia për ta vënë në përdorim intelektin e vetvetes pa qenë nën prindërimin e një tjetri.”
Kanti filloi t’i shqyrtojë kritikisht fakultetet tona të njohjes. Ai bëri pyetje si: Çfarë mund të dimë? Cilët kushte e bëjnë të mundshme njohjen tonë? Dhe ku janë kufijtë e njohjes tonë? Më pas, të gjithë pohimet duhet të hetohen kritikisht. Ato janë të besueshëm vetëm nëse mund të provohen me argumente. Për arsyen se të gjithë njerëzit duhet të jenë të aftë që ta njohin të vërtetën në mënyrë të pavarur, qasja e Kantit gjendet shpesh e lidhur me lirinë dhe barazinë për të gjithë.
Edhe pse njerëzit duhet të jenë në gjendje të njohin të vërtetën në mënyrë të pavarur, në të njëjtën kohë, fakti që mundësia për të pasur qasje të drejtpërdrejtë tek e vërteta nuk është më një opsion, marrë pasur parasysh dhe “Revolucionin Kopernikan” të Kantit, do të thotë se për të zbuluar të vërtetën, ne kemi nevojë për një metodë ndërsubjektive. Ta themi thjesht; ne kemi nevojë për arsye publike për të kompensuar pikat tona të zbrazëtive.
Thënë tepër pa finesë, ky të menduar kritik në nivel makro është ajo që Kanti e quan arsye publike. Pa të, shteti nuk mund të jetë legjitim. Do ta shpjegojmë këtë shkurtimisht.
Sipas Kantit, autoriteti politik kërkon themelimin e institucioneve politike në shtetin civil. Individët racionalë kanë një detyrim moral madje. Sidoqoftë, shteti e merr legjitimitetin e tij nga “përputhshmëria e çdo ligji publik me të drejtën”. Kjo do të thotë se, hipotetikisht, çdo ligj mund të ketë miratimin e çdo personi racional.
Rrjedhimisht, kreu i shtetit, për të qenë legjitim, duhet t’i bindet arsyes publike dhe të krijojë një legjislacion të atillë. Bindja ndaj arsyes publike presupozon lehtësimin e rrjedhës së lirë të informacionit, kështu që Kanti mbron fuqimisht ‘lirinë e stilolapsit’ dhe aftësinë për t’i bërë të ditura ato që dikush mendon. Meqenëse fjala e lirë njihet si mbruroja më epërore ose si mbrojtja e të drejtave të njerëzve, paradoksalisht, këto të drejta mund të shihen poashtu si një argument për të kufizuar fjalën e lirë.
Pa një shtet legjitim, që kërkon arsye publike, nuk mund të ketë mbrojtje të të drejtave. Kështu që fjalimi i cili synon të përmbysë shtetin legjitim mund të jetë i kufizuar. Kanti kishte ndërmend lëvizjet revolucionare, por ne mund ta zbatojmë me lehtësi këtë arsyetim në lidhje me dezinformimin, i cili synon të stimulojë polarizimin dhe të shkatërrojë demokracitë përfundimisht.
Kurrë, Kurrë, Kurrë, Mos Gënje!
Një nga arsyet pse Kanti është kaq interesant nga perspektiva e dezinformimit është se ai i ka shqyrtuar ndalimet morale kundër falsiteteve të qëllimshme: gënjeshtrat. Kanti argumentoi se të gjitha gënjeshtrat janë të dëmshme, sepse ato minojnë dinjitetin e të tjerëve. Gënjeshtrat i pengojnë njerëzit të veprojnë lirshëm dhe racionalisht. Kur dikush gënjen, ai përzihet në të drejtën e audiencës të tij për të marrë informacione të sakta. Gjithashtu, gënjeshtrat shtrembërojnë aftësinë për të marrë vendime të informuara.
Kanti shkon më tej dhe argumenton se gënjeshtrat shkaktojnë dëm më të madh duke minuar besueshmërinë e folësit, i cili, nga ana tjetër, i bën njerëzit të mos kenë besim në pohimet e njëri-tjetrit. Kanti madje shkon aq larg saqë thotë se gënjeshtra është imorale, në të gjitha kushtet.
Te një shembull i famshëm, Kanti argumenton se kjo vlen edhe në rast se një vrasës troket në derën tuaj, duke kërkuar një burrë, i cili strehohet në shtëpinë tuaj. Askujt nuk i lejohet që të trillojë një histori, edhe nëse kjo do të thotë të shpëtosh një jetë!
Kanti synonte që t’i jepte një themel autonomisë njerëzore filozofikisht, dhe më praktikisht, përshkroi kushtet shoqërore të domosdoshme për liri. Sipas Kantit, ajo bën thirrje për një shtet legjitim, i cili i bindet dhe mbron arsyen publike. Kjo mund të nënkuptojë se Kanti do t’i mbështeste politikat për krijimin e një peizazhi të larmishëm mediatik dhe do t’i mbronte masat që frenojnë lëvizjet antidemokratike, përfshirë masat që synojnë përhapësit e dezinformimit.
Kanti sulmon me vendosmëri gënjeshtrën, dhe kështu, dezinformimin, pasi nuk është thjesht imorale ngaqë manipulon të tjerët dhe minon dinjitetin e tyre, por gjithashtu gërryen themelet për paqen perpetuale. Kur bëhet fjalë për dezinformimin, mendimi i Kantit është një paralajmërim shumë i plotë dhe shumë serioz.
Në vitin 1945, Rusia aneksoi qytetin e vjetër prusian Königsberg, Kaliningradin e sotëm. Është ironike që varri i Kantit gjendet në Rusi, ashtu si Kremlini po përpiqet të vrasë të gjitha format e të menduarit kritik./euvsdisinfo.eu
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara