Imagjinoni sikur Parlamenti i Kosovës të censuronte pamjet e hedhjes së gazit
Gjatë seancës së sotme parlametare, kur deputeti Salianji ishte duke radhitur herët kur Kryeministri Rama kishte ofenduar gratë deputete, qoftë të partisë së tij, qoftë të partive të tjera apo edhe qytetare, deputeti Erion Brace u nxeh dhe u hodh për të replikuar.
Ky debat shkoi në ofendime në momentin që deputeti Salianji e quajti Braçen, “kone”. Në atë moment pati një moment të përballjes fizike midis dy deputetëve. Por u ndërhy edhe nga sigurimi i parlamentit.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e ndërpreu seancën dhe rrjedhimisht fiken edhe kamerat e parlamentit. Duke mos pasur media në ambientet e Parlamentit, askush nuk mund të shohë dhe përcjellë se çfarë ndodh pasi fiken kamerat e komanduara nga brenda sallës.
Bie fjala, është me interes të dihet se pse, para degradimit të situatës dhe para ndërpresjes së pamjeve, z. Salianji tha që emri i z. Braçe përmendet në përgjimet e Rezart Taçit.
Nuk ka ndonjë gjë me interes publik në përplasjen fizike mes këtyre dy deputetëve. Por ama, parlamenti nuk e ka tagrin e përzgjedhjes së pamjeve që i ofrohen publikut. Censurimi i pamjeve nuk i shërben dhënies dinjitet të parlamentit, por potencialisht, i jep mundësi regjisë së Parlamentit (pushtetit) të heshtojë pamje të mundëshme, në dukje jo etike, apo pa interes publik, të cilat mund të prodhojnë implikime të dobishme për publikun.
Imagjinoni sikur Parlamenti i Kosovës të censuronte pamjet e hedhjes së gazit në sallë, kundër Zajednicës serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Me siguri që nuk do të ishte prodhuar ai debat publik që në fund rezultoi në shpalljen e Zajednicës si kundër kushtetuese.
© Rruga Press