IFIMES paralajmëron për erozion të demokracisë në Shqipëri dhe rrezik për integrimin në BE
Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), me seli në Ljubljana, ka publikuar një raport të ri ku ngre alarmin për përqendrimin në rritje të pushtetit në Shqipëri nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Sipas analizës, vendi po largohet nga standardet demokratike, ndërsa institucionet po dobësohen dhe opozita po margjinalizohet gjithnjë e më shumë.
Raporti, i titulluar “Shqipëria 2026 (II): Erozioni i Demokracisë Parlamentare dhe Margjinalizimi Sistemor i Opozitës”, evidenton një përkeqësim të situatës krahasuar me studimin e mëparshëm të IFIMES, i cili trajtonte çështjen e instrumentalizimit të drejtësisë në rastin e Ilir Metë. Sipas gjetjeve të fundit, problemi tashmë është më i gjerë dhe prek vetë funksionimin e sistemit parlamentar.
Analiza thekson se Shqipëria po kalon nga një sistem parlamentar konkurrues drejt një modeli me parti dominuese, ku shumica qeverisëse kontrollon procesin vendimmarrës dhe rolin e Parlamentit në një mekanizëm formal miratimi. Në këtë kontekst, Parlamenti redukton përshkruhet si i varur nga ekzekutivi, ndërsa opozita përjashtohet nga funksionet legjislative dhe mbikëqyrëse.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me dobësimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, përmes refuzimit të ngritjes së komisioneve hetimore dhe kufizimit të interpelancave. Raporti thekson se këto praktika përbëjnë shkelje të parimeve kushtetuese dhe ndikojnë negativisht në ndarjen e pushteteve.
Po ashtu, evidentohet rënia e cilësisë së debatit parlamentar, ku shumë projektligje miratohen pa diskutim të plotë dhe me kufizime ndaj fjalës së deputetëve të opozitës. Nga dhjetëra seanca parlamentare, vetëm një pjesë e vogël janë zhvilluar me standarde normale deliberative, duke reduktuar transparencën dhe llogaridhënien.
Raporti identifikon edhe një fenomen të quajtur “nihilizëm legjislativ”, ku nismat e opozitës refuzohen sistematikisht pa vlerësim mbi përmbajtjen, ndërsa në disa raste ato riparaqiten më pas nga shumica. Sipas IFIMES, kjo praktikë dëmton pluralizmin politik dhe rrit polarizimin.
Në planin institucional, raporti ngre shqetësime për emërimet e njëanshme në institucione të pavarura, përfshirë banka qendrore dhe agjenci rregullatore, pa përfshirjen e opozitës. Kjo, sipas analizës, përbën një formë kapjeje institucionale dhe cenon besimin publik.
Një tjetër problem i theksuar është përdorimi i masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, të cilat raporti i konsideron disproporcionale dhe me motivim politik. Kjo, sipas IFIMES, krijon një klimë ndëshkuese brenda Parlamentit.
Raporti kritikon gjithashtu përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit në Bashkimi Evropian, duke përmendur mungesën e aksesit në dokumente dhe diskutime kyçe, si dhe mungesën e transparencës në menaxhimin e fondeve. Sipas IFIMES, kjo bie ndesh me standardet evropiane për përfshirje politike.
Një pikë kritike mbetet edhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas raportit minon shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Në përfundim, IFIMES vlerëson se Shqipëria po shkon drejt një modeli qeverisjeje hibride, ku institucionet demokratike ekzistojnë formalisht, por funksionimi i tyre është i kufizuar në praktikë. Ky zhvillim, sipas raportit, paraqet rrezik jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin dhe vetë politikën e zgjerimit të BE-së.
Instituti paralajmëron se pa ndërhyrje urgjente për rikthimin e balancave institucionale dhe forcimin e pluralizmit politik, Shqipëria mund të kalojë nga një demokraci e brishtë në një regjim hibrid të konsoliduar, duke vështirësuar ndjeshëm rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Rruga Press

