I riu u shoqërua nga policia se po protestonte: Një pjesë e mirë e policisë është me ne, janë kundër qeverisë
Protestat qytetare që po zhvillohen prej më shumë se 100 ditësh kanë nxjerrë në pah akuza të rënda për shkelje të të drejtave të njeriut dhe veprime të jashtëligjshme nga ana e forcave të rendit.
Aktivisti Asllan Dogjani, tregon se si pa asnjë shkak të bazuar në ligj u shoqërua nga forcat policore gjatë protestës.
Teksa tha se kishte dalë për të mbrojtur të drejtat e tij kushtetuese, Dogjani shtoi se u ndalua thjesht sepse po qëndronte në trotuar duke filmuar protestën.
Asnjë akt dhune, asnjë bllokim rruge, e megjithatë forcat e policisë e shoqëruan atë duke i ndrydhur krahun për t’i marrë telefonin me forcë, pa pasur asnjë vendim nga prokuroria.
Vetë Dogjani ka treguar se gjatë transportimit me furgon, efektivë të ndryshëm kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë, duke i inkurajuar madje protestuesit që të përshkallëzojnë veprimet e tyre.
Çdo qytetar ka detyrimin që të dalë në shesh. Dhe unë mendoj se ky shesh ka arritur shumë gjëra deri tashi, me 100 e kusur ditë. E para që Edi Rama është dobësuar shumë, imazhi i tij publik jo vetëm në Shqipëri, por dhe ndërkombëtarisht është shkatërruar totalisht. Në sytë e ndërkombëtarëve ai është një diktator që nuk lejon protesta paqësore që të ndodhin në vendet e tij. Si një vend demokratik që jemi ne. Tashi akuzat e djeshme, tubim i paligjshëm. Çfarë do të thotë tubim i paligjshëm? A është e drejtë kushtetuese për të dalë për të protestuar? Çfarë është tubimi i paligjshëm? Prishje e rendit dhe qetësisë publike. Këto janë pjesë e një proteste. Ose bllokimi i rrugëve. Unë personalisht për shembull, kam qenë gjatë gjithë kohës në trotuar vetëm duke filmuar edhe duke bërë thirrje. Dhe mu më kapën, më shoqëruan në trotuar.
Tashi neve kemi një të drejtë për të protestuar nëse mendojmë se po na shkelen të drejtat e të tjerë, e të tjerë. Pse mos të dalim në protestë? Në një vend demokratik lejohet protesta, është thelbësore në demokraci. Ne dolëm, unë e vëllai dolëm. Dolëm që ditën e parë. Bile unë kam dalë me 26 maj, ishim te Ministria e Mjedisit në lidhje me punën e Sazanit. Edhe pata dalë aty. Po unë kam dalë thjesht si një qytetar që kërkon më tepër të drejta dhe drejtësi në këtë vend. Thjesht si një qytetar. Domethënë, e gjitha ajo kishte shumë probleme. Se unë personalisht isha gjatë gjithë kohës në trotuar, siç ju thashë. Duke filmuar, duke ushtruar të drejtën time. Unë besoj tek e drejta për të protestuar në një mënyrë paqësore brenda ligjit, patjetër. Dhe mu më shoqëruan kot. Për çfarë arsye tjetër do më shoqërosh mu? S’ka asnjë lloj arsye tjetër. Pastaj na morën, na çun te Tresh-i. Shkuam te komisariati numër tre, u futëm në një grumbull aty, s’kishin vend. Pastaj një nga çunat atje brenda, se e kishin fut brenda në qeli, ishte i çarë këtu te vetulla edhe po i dilte gjak. Edhe dikush e kishte telefonin akoma, e shkrepi një foto. Dhe kjo i stresoi sigurisht. I stresoi se fotot ja, nuk lejohet.
Pavarësisht se telefoni është pronë private, ja morën telefonin dhe e pashë me dorën e oficerit, e fshiu foton. Për të fshirë si duket provat, se nuk e di, rrojnë nga ato lloj gjërash. Pastaj shkuam te një komisariat tjetër, e përfunduam na çun se s’kishte vend aty. Na çun te komisariati tjetër, te 21-shi. Te dyshi. Aty nuk kishte vend prapë. E përfundimisht te katra. Nga shumë nga ato protestues nga çfarë mora vesh unë, për shembull, nuk i kanë telefonat sot. I shkruajta një shoku që ishte shoqëruar, nuk më ka kthyer asnjë lloj përgjigje. Një goce tjetër më thanë që ja kishin mbajtur telefonin. Po, edhe një gjë tjetër, mu më kishin shoqëruar edhe mbasi dola, shkova mora telefonin tim te komisariati numër një. Domethënë ma kishin shoqëruar veç telefonin.
Po, domethënë e kisha të lidhur me telefonin e babit edhe e gjeta në atë lloj mënyrë.
Një gjë interesante Flavio është që një pjesë e mirë e policisë është me neve. Është kundra kësaj qeverie dhe u shprehën aty brenda në furgon me neve, u shprehën që të bëjmë më tepër që ta përshpejtojmë. Po, patjetër, ajo ishte dëshira e disa policëve. Po eksperienca ime aty ishte e çuditshme se unë, një qytetar, ti mund të më thuash hajde do të shoqëroj në komisariat, patjetër unë vij. Nuk kam nevojë me e kundërshtu as asnjë lloj gjëje. Po mu jo vetëm ashtu, po më thanë hajde këtu, më kapën edhe ma ndrydhën dorën, edhe me zor ma morën telefonin nga dora.
Rruga Press

