Bota

I ati jeton falë një zemre derri, flet djali i pacientit: Kjo është mrekulli e shkencës

I biri i David Bennet, njeriut të parë në botë që iu transplantua zemra e një derri të modifikuar gjenetikisht, e cilësoi operacionin si “një mrekulli” të shkencës.

Pesë ditë pas operacionit shtatë-orësh, gjendja e pacientit paraqitet e mirë.

Transplanti i zemrës së derrit ishte shpresa e fundit për të shpëtuar jetën e burrit, megjithëse nuk është ende e qartë se sa do të jetë jetëgjatësia e tij tani.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka lëshuar një leje speciale për transplantin novator me arsyetimin se pacienti 57-vjeçar do të vdiste, nëse nuk do të bëhej ndërhyrja.

“Është e rëndësishme për babanë tim, për Shtetet e Bashkuara, për të gjithë botën,” tha David Bennett Jr, i biri i 57-vjeçarit.

“Është inovative, e jashtëzakonshme dhe, sinqerisht besoj se  është një mrekulli,” shtoi ai.

“Edhe unë kam probleme me zemrën, në moshën 37-vjeçare. Babai im padyshim që po ndryshon të ardhmen edhe për  mua”, tha djali i marrësit të zemrës së derrit.

Lexo më shumë  Kroacia i merr aeroplanët që Serbia i kërkon nga Franca

Pak orë para operacionit, ekipi i transplantit hoqi zemrën e derrit të modifikuar gjenetikisht dhe e vendosi atë në një pajisje speciale për të ruajtur funksionin e deri në momentin e operacionit.

“Babai im ndodhej në sallën e operacionit për tre ditë radhazi. I ishte fryrë i gjithë trupi dhe vuajti shumë”, tha David Bennett Jr.

Mjekët e udhëhequr nga profesori Bartley Griffith i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland, shpresojnë të hapin rrugën për një lloj të ri transplanti që do të shpëtojë jetën e shumë njerëzve në mbarë botën për shkak të mungesës së organeve adekuate njerëzore për transplantim.

Shumë njerëz në listat e pritjes së transplantit vdesin çdo vit përpara se të marrin organin vital që u nevojitet.

Transplant i marrë nga një kafshë (ksenotransplant) është  testuar për herë të parë në vitet 1980. Ndërkohë dekadat e fundit valvulat e zemrës së derrit janë përdorur për transplant.

Lexo më shumë  Tajvani: Kina dërgoi avionë ushtarakë në territorin e saj

Tetorin e kaluar, në Nju Jork u zhvillua transplanti i parë i suksesshëm i veshkës së derrit në një burrë të vdekur në tru dhe pa asnjë shpresë për shërim.

Në rastin e Benetit, i cili vuante nga sëmundje të rënda të zemrës, ka shpresa që ai të fitojë disa vite jetë, diçka që duhet vërtetuar.

Derri nga i cili është marrë zemra ishte modifikuar gjenetikisht nga kompania amerikane e bioteknologjisë Revivicor (një degë e United Therapeutics) për të çaktivizuar disa nga gjenet e tij.

Mjekët thonë se është shumë herët për të thënë me siguri se transplanti ishte i suksesshëm dhe se zemra e kafshës do të funksionojë  në trupin e njeriut pa asnjë problem. Ditët dhe javët në vijim konsiderohen kritike.

Rruga Press

YouTube player