KryesoreLajme

Hyseni: Stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit janë provokuese

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka reaguar lidhur me stërvitjet ushtarake të Serbisë të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, përkatësisht në afërsi të komunës së Gjilanit.

Ai këto stërvitje i ka vlerësuar si shqetësuese dhe provokuese për qytetarët e kësaj komune.

“Prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. Si kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Lexo më shumë  Donika Gërvalla kritikon Edi Ramën për editorialin me Aleksandar Vuçiqin në Frankfurter Allgemeine Zeitung

Ai ka thënë se qytetarët meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion.

“Ne do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të angazhohemi fuqishëm për mbrojtjen e interesit të tyre”, ka shtuar ai.

YouTube player