Hungaria tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale pas vizitës së Netanyahut
Qeveria e Hungarisë ka njoftuar se po tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).
Një zyrtar i lartë në qeverinë e kryeministrit Viktor Orban, Gergely Gulyas, njoftoi masën, disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet sipas një urdhërarresti të ICC, mbërriti në vend për një vizitë shtetërore.
Orban e kishte ftuar udhëheqësin izraelit sapo u lëshua urdhërarresti nëntorin e kaluar, duke thënë se vendimi nuk do të kishte “asnjë efekt” në vendin e tij.
Në nëntor, gjykatësit e ICC thanë se kishte “baza të arsyeshme” që Netanyahu mbante “përgjegjësi penale” për krimet e supozuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit gjatë luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
Bëhet e ditur se Netanyahu e ka dënuar vendimin e gjykatës si “antisemitik”.
Ndryshe, Hungaria është një anëtar themelues i ICC, i cili numëron 125 shtete anëtare.
SHBA, Rusia, Kina dhe Izraeli nuk e njohin juridiksionin e saj, mes shteteve të tjera.
Raportohet se ICC ka autoritetin të ndjekë penalisht të akuzuarit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e shteteve palë të Statutit të Romës, traktatit themelues të tij.
Rruga Press