KryesoreLajme

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës: Serbia do të sillet ndryshe kur Kosova do ta padisë për gjenocid

Pas padisë për gjenocid, Serbia do të sillet ndryshe në arenën politike, ka thënë hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp.

Edhe pse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ajo tha se mund të padisë Serbisë nëpërmjet një vendi tjetër.

Kështu u shpreh ajo në konferencën ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve.

Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i kanë humbur rastet për gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati konstatuar se Serbia është përgjegjëse për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të gjenocidit në Srebrenicë, por jo edhe për kryerje të gjenocidit, për çka Bosnja kishte ngritur padi.

Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, tha se nga këto dy raste Kosova duhet të mësojë dhe se është e rëndësishme që të paditet Serbia për gjenocid.

“Kosova është shtet edhe pse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mundet [të bëjë padi] nëpërmjet shtetit anëtar të Kombeve të Bashkuara të paraqesë padinë kundër Serbisë për gjenocid, jo pse e dini që do të fitoni por që qeveria juaj apo ndonjë qeveri më vonë do të duhej ta bëjë këtë për ta përfunduar këtë. Sepse është një rast shumë i mirë, jo për të fituar edhe një herë sepse do të mbetet aq konservative sa ka qenë kjo gjykata ndërkombëtare, por për të treguar që do t’i çoni përpara dhe Serbia do të sillet krejt ndryshe në arenën politike dhe në Procesin e Berlinit, apo procesit kundër Kosovës, sepse do të jetë shumë në siklet për atë që do të ndodhë dhe pa këtë lloj kontrollimi të Serbisë, Serbia sillet pikërisht si çdo shtet tjetër, sepse pavarësisht prej kapitullimit dhe tërheqjes ushtarake nga Kosova s’ka pasur kurrfarë mekanizmash që po e ndalojnë Serbinë për t’u trajtuar si shtetet tjera. Madje, edhe nuk po negocion për statusin e Kosovës, por shpesh po mundohet ta kontrollojë procesin”, deklaroi ajo, raporton KP.

Lexo më shumë  Zelensky: SHBA-ja po e ndihmon Rusinë që të dalë nga izolimi global. Trumpi jeton në një hapësirë dezinformimi

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi tha se arkivat e gjykimeve janë dëshmi të vlefshme për shkrimin e historisë.

“Pyetja fillestare dhe madhore është se si munden gjykimet penale të këtyre krimeve të kontribuojnë në shkrimin e historisë edhe në përfaqësimin e historisë edhe në historiografi? Një gjë shumë e rëndësishme është se arkivat e gjykimeve janë një shumësi shumë e pasur e dëshmive, janë të dhëna artefakte, audio dhe dëshmi gojore që janë dhënë nga dëshmitarët. Tash, ku shumica e gjykimeve kanë përfunduar ka një dosje të gjykimeve, shumica prej këtyre dëshmive mund të kenë qasje publiku në to por nuk është e lehtë ta kesh qasje në to. Këto janë dosje të gjykimeve, këto dëshmi janë ekspozuar gjatë një sesioni të hapur të botës së jashtme”, tha ajo.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci thotë se institucionet vendore është dashur të fuqizohen për adresimin e krimeve të luftës.

“Kur flasim për aspektin e drejtësisë mendoj që jemi shumë larg për t’i adresuar krimet që janë kryer në Kosovë. Por këtë nuk e kisha ndërlidh specifikisht vetëm me përgjegjësinë që duhet të adresohet brenda institucioneve të Kosovës… Çështja e EULEX-it, më mirë do të ishte që institucionet e Kosovës qysh në atë kohë të fuqizoheshin qoftë në aspektin e policisë, qoftë në aspektin e prokurorisë, qoftë institucione të tjera të cilat kanë pasur rol në këtë drejtim. Pse të mos ketë një gjykatë specifikisht për krime të luftës”, deklaroi ajo.

Lexo më shumë  Rama e quajti ‘lajthitje’ survejimin e partive politike, SPAK: Hetojmë blerjen e votës

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti foli për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe sfidat për drejtësi.

“Këto krime janë të padukshme, është arma e pistë dhe ma e lirë e mundshme që zbatohet si strategji e luftës jo vetëm në Kosovë por edhe në Ukrainë edhe në vendet tjera ku ka konflikt. Fatkeqësisht trupi i gruas por edhe i burrave bëhet pjesë e fushëbetejës pa dashjen e tyre. Ka të bëjë me integritetin e individit dhe nuk është lehtë të dokumentohen, nuk është lehtë të flitet. Nuk mund të flasësh për një akt seksual të kënaqshëm e lëre më të flasësh për një akt torturues, ku dhuna seksuale ndodh para familjarëve, ndodh në prezencë të fëmijëve, ndodh në prezencë të gjyshërve”, përfundoi ajo.

Në luftën e viteve 1998-1999, në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e burra, mbi 6 mijë persona janë zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona janë zhvendosur.

YouTube player