Opinion/Aktualitet

Huamarrja e kompanive shtetërore është në rënie

Huamarrja e kompanive publike në sektorin bankar ishte në rënie edhe gjatë këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik, portofoli i huasë së kompanive publike kishte vlerën e 11.9 miliardë lekëve, në tkurrje me 20% krahasuar me fillimin e vitit dhe me 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Huamarrja e kompanive me kapital shtetëror pranë bankave tregtare është dominuar historikisht nga kreditë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, që kanë pasur si qëllim kryesor blerjen e energjisë elektrike nga importi, e cila ka një kosto shumë më të lartë krahasuar me atë që prodhohet nga burimet e brendshme. Këto kredi merren falë ofrimit të garancisë sovrane nga qeveria shqiptare.

Rënia e vlerës së kredive të ndërmarrjeve publike përputhet edhe me vlerën e kredive të garantuara nga qeveria për KESH. Në mesin e këtij viti, KESH kishte vetëm tre kredi të garantuara nga qeveria shqiptare, për një shumë totale prej 4.1 miliardë lekësh. Sipas informacionit të Ministrisë së Financave, bëhet fjalë për dy overdrafte nga Raiffeisen Bank dhe një kredi afatgjatë të marrë nga banka Intesa Sanpaolo Albania.

Lexo më shumë  Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Shuma e kredive të garantuara ka pësuar rënie me 55% krahasuar me mesin e vitit të kaluar. Në atë kohë, Ministria e Financave raportonte pesë ovedrafte të garantuara për KESH, për një shumë totale prej 9.1 miliardë lekësh.

Ulja e vlerës së kredive të KESH mund të lidhet me përmirësimin e prodhimit të energjisë në vend dhe rënien e nevojës për të blerë energji elektrike nga importi. Sipas të dhënave të Instat, për tremujorin e dytë të këtij viti prodhimi vendas i energjisë elektrike u rrit me 2.2 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqiperise

Përveç KESH që historikisht ka mbajtur pjesën dominuese të huamarrjes së ndërmarrjeve publike, huamarrës të rëndësishëm të bankave tregtare në disa raste janë edhe ndërmarrjet në pronësi të institucioneve të pushtetit vendor, siç është rasti i Ujësjellës-kanalizime Tiranë. Veç kredive nga institucione të huaja financiare, UKT ka në bilanc edhe tre kredi të marra nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT). Kredia e parë dhe më e madhe me vlerën prej 2.1 miliardë lekësh u firmos në vitin 2012, me objekt blerjen nga UKT e HEC-it të Lanabregasit.

Lexo më shumë  Qeveria e Ramës po i kryen punët e jashtme të Serbisë

Në vitin 2015, UKT mori një kredi të dytë me vlerë 1 miliardë lekësh, me qëllim investimet për shfrytëzimin e burimit të Shën-Mërisë. Kredia e tretë është një overdraft prej 850 milionë lekësh, i firmosur në shtator të vitit të kaluar. Këto janë kredi të pagarantuara nga qeveria shqiptare dhe teprica e tyre në fund të vitit 2020 ishte rreth 1.5 miliardë lekë. Marrë nga Monitor.al

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *