Hoxha: Politika serbe nuk mbështet paqen – Policia e Kosovës e përgatitur për çdo sfidë
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se Policia është e përgatitur për çdo sfidë të mundshme pas kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që erdhën pas arrestimit të zyrtarit serb Igor Popoviq.
Në një konferencë për media në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Hoxha u shpreh se situata e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile, përveç veriut, ku mbetet e brishtë për shkak të grupeve kriminale serbe.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë. Ato nuk kanë qenë kurrë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në Kosovë. Policia është e përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin. Situata është e qetë dhe stabile, përveç pjesës së veriut, e cila mbetet e brishtë për shkak të veprimeve të politikës serbe dhe grupeve kriminale, ekstremiste e terroriste atje,” tha Hoxha.
Këto deklarata vijnë pas arrestimit të Igor Popoviqit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili u arrestua për deklarata nxitëse kundër UÇK-së në Hoçë të Rahovecit. Arrestimi i tij shkaktoi reagimin e Vuçiqit, i cili e quajti provokim nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Vuçiq paralajmëroi pasoja të paparashikueshme, duke deklaruar: “Kurti e ka humbur plotësisht arsyen dhe dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor.”
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka cilësuar këto deklarata si kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme.
Rruga Press

