KryesoreLajme

Hovenier për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: Ishte e domosdoshme për t’i dhënë fund spastrimit etnik nga regjimi serb

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë para një çerek shekulli.

Gjatë një konference të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 25-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së fundit në Kosovë, Hovenier ka deklaruar se kjo ndërhyrje ishte për t’i dhënë fund, siç tha ai, “spastrimit etnik” në Kosovë nga “makineria [e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan] Millosheviqit”.

Hovenier ka deklaruar se shteti i tij është i përkushtuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

“Dua të riafirmoj përkushtimin tonë drejt sigurimit që ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur para 25 vjetësh në Kosovë të mos ndodhin më kurrë. Mbesim të përkushtuar që të mbështesim rolin stabilizues që luhet nga forca e NATO-s, KFOR”, ka deklaruar Hovenier.

Tutje Hovenier ka theksuar se ndërhyrja e NATO-s ishte edhe e domosdoshme edhe legjitime “duke marrë parasysh krizën humanitare që bota po shihte në kohë reale”.

Më 24 mars bëhen një çerek shekulli nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Lexo më shumë  Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja e Ramës skandalin e burrit të ministres Delina Ibrahimajt!
YouTube player