Hoti: Ligji për Personat e Pagjetur së shpejti në konsultim publik
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, deklaroi se as nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell e as nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak nuk kanë pranuar informacione se pse nuk po zbatohet deklarata e 2 majit për personat e zhdukur. Ai theksoi se Ligji për Personat e Zhdukur së shpejti do të kalojë në konsultim publik.
Ai para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut theksoi se gjatë vitit 2023 kanë gërmuar në 15 lokacione në territorin e Kosovës.
“Janë dorëzuar nëntë mbetje mortore te familjarët gjatë vitit 2023. Fatkeqësisht gjatë vitit 2023 janë bërë gërmime vetëm në një lokacion ne Serbi, në Shtavall. Shumica prej informacioneve që kemi nuk janë vetëm brenda territorit të Kosovës por edhe të dëshmitarëve atje ne Shtavall. Në maj të vitit 2023, ne kemi arritur të miratojmë një deklaratë në Bruksel, më 1 qershor në zbatim të kësaj deklarate, komisioni i ka dërguar letër Vuçiqit për të hapur arkivat e ushtrisë përkatësisht të brigadës 37 që ka operuar në Drenicë”, u shpreh ai.
Tutje, Hoti theksoi se janë duke punuar në katër lokacione brenda territorit të Kosovës. Ai foli edhe për Ligjin për Personat e Pagjetur, për çka tha se shpejti do të jetë në konsultime publike.
“Ligji për Personat e zhdukur ende nuk është përfunduar. Ka përfunduar nga ana jonë, shumë shpejt do të jetë në konsultime publike”, theksoi ai. /ksp
Rruga Press